Bujar Osmani nga Çairi: 350.000 euro në muaj nga buxheti i Çairit përfundojnë tek aktivistët partiakë të VLEN-it
Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, në takimin e sotëm me qytetarët, ashpër e dënoi, siç e quajti ai, “sistemin masiv për nxjerrjen e parave nga buxheti i komunës përmes kontratave fiktive dhe abuzimeve”.
“Duhet të jemi realistë. Buxheti i Çairit është i kufizuar. 67% shkon për paga, ndërsa nga pjesa e mbetur bëhen kontrata fiktive. Në korrik ka pasur 720 kontrata, angazhime pune fiktive për persona që rrinë në shtëpi dhe shkruajnë statuse kundër meje dhe jush, kundër kauzës sonë. Kjo kushton 350.000 euro në muaj nga paratë e qytetarëve, nga taksat tuaja,” theksoi Osmani.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të kontrollojnë platformën Open Finance, mjet zyrtar i Ministrisë së Financave, i mbështetur nga Ambasada Amerikane, ku shihet qartë se si shpenzohet buxheti publik.
“Kanë formuar një parti të re, ndërsa ne duhet t’ua paguajmë aktivistët? T’ua paguajmë edhe kafetë dhe restorantet me paratë tona? Kjo është e papranueshme,” tha Osmani. “Në Seravë apo në Doxhonskë, me ato 350.000 euro mund të realizohej çdo muaj nga një projekt serioz.”
Ai e krahasoi këtë situatë me gjendjen e higjienës dhe ndotjes në komunë:
“Sikur ata 720 persona të dilnin të paktën ta pastronin Çairin, sot nuk do të ishte komuna më e ndotur në Shkup.”
Në fjalimin e tij, Osmani theksoi edhe dimensionin moral të parasë publike:
“Çdo denar nga buxheti është amanet. Çdo denar i keqpërdorur është haram që e fut në shtëpinë tënde dhe me të ushqen fëmijët e tu,” përfundoi ai.