Bujar Osmani: Izeti para dhjetë vitesh iku nga Çairi në Butel, ai është problemi, e jo zgjidhja për Çairin (VIDEO)

Çairi sot është në një gjendje që i mbyt njerëzit në jetën e përditshme. Në gjendjen më të rëndë të mundshme për qytetarët tanë. E kjo gjendje ka vulën e vet. Ka emrin e vet. Ky është emri i kundërshtarit tim, i cili pas 20 viteve pushtet, përsëri del të kërkojë besimin tuaj. Kështu u shpreh kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në një takim të ri me qytetarët e komunës, ndërsa ka përmendur rrugët katastrofale, kaosin urbanistik dhe ndotjen.

“Çdo vështirësi që sot e shihni në Çair e mban emrin e tij. Çairi sot është komuna më e ndotur në Qytetin e Shkupit. Po mbytemi në pluhur. Fëmijët tanë kanë 30% më shumë gjasa të sëmuren nga bronkiti dhe astma, e kjo nuk është vetëm statistikë, por realitet që e përjetojmë çdo ditë”, tha Osmani.

Ai përkujtoi edhe një fakt që banorët e dinë moti, por rrallë kush e thotë me zë të lartë!

“Njeriu që 20 vjet e drejton këtë komunë nuk jeton në të. Para 10 vitesh iku nga Çairi, shkoi të jetojë në Butel. Nuk është i gatshëm të jetojë me pasojat e qeverisjes së vet. E tani përsëri vjen të kërkojë besimin e njerëzve”, tha ai.

Në fjalimin e tij, Osmani theksoi ashpër se premtimet e sistemit të vjetër janë vetëm fjalë boshe.

“Nuk mundet dikush të premtojë ndryshime ndërkohë që vetë 20 vite e ka krijuar këtë gjendje. Mund vetëm ta vazhdojë procesin e degradimit. Komuna është në kaosin më të madh urbanistik në shtet. Rrugët, parkingjet, kopshtet, gjithçka është lënë në mëshirë të rastit. Dhe e gjithë kjo ka emër e mbiemër”, nënvizoi Osmani.

Ai edhe njëherë i ftoi qytetarët të bashkohen dhe të bëjnë një kthesë të vërtetë më 19 tetor.

“Çairasit meritojnë një lider që jeton me ta, që i ndien të njëjtat probleme dhe që është këtu për të punuar, jo për interesa personale e biznesore, por për interes publik. Koha e arratisjes dhe manipulimeve përfundon. Po vjen një epokë e re për Çairin”, përfundoi Osmani.