Bujar Osmani: Dy kopshte të reja në Çair, kemi planin dhe lokacionet gati

Arsimi parashkollor është themeli mbi të cilin ndërtohet suksesi i çdo fëmije, por edhe e ardhmja e gjithë shoqërisë sonë. Vitet e para të jetës janë më të rëndësishmet për formimin e personalitetit, për zhvillimin e tyre, për gëzimin dhe sigurinë e tyre. Prandaj them: çdo investim tek fëmijët është investim në të ardhmen. Kështu ka thënë kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, ndërsa ka premtuar investime të reja në kopshtet dhe çerdhet që gravitojnë në Komunën e Çairit.

“Sot, shumë prindër në Çair përballen me mungesë vendesh në çerdhe, me kushte të papërshtatshme, me oborre të lëna pas dore dhe hapësira që në vend të jenë oazë për më të dashurit tanë, përbëjnë rrezik. Për vite me radhë komuna ka kursyer tek më e rëndësishmja – tek fëmijët. Është kursyer nga fëmijëria e tyre, nga e ardhmja e tyre. Kjo duhet të ndryshojë dhe do ta ndryshojmë pas 19 tetorit”, tha Osmani, ndërsa shpalosi vizionin e tij në këtë drejtim.

“Vizioni ynë është i qartë dhe konkret. Do ta rikonstruktojmë çdo çerdhe ekzistuese, nga klasat dhe tualetet deri tek kuzhinat dhe oborret. Siguria do të jetë prioritet absolut, do të vendosen gardhe në të gjitha oborret, do të sigurohet mbrojtje falas në të gjitha objektet dhe çdo hapësirë do të ketë pastrues ajri dhe teknologjinë më moderne për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm. E di se sot kapacitetet janë të pamjaftueshme dhe shumë fëmijë mbesin jashtë sistemit. Për këtë arsye, do të ndërtojmë dy çerdhe të reja, ultramoderne, që janë pjesë e projektit që do ta prezantojë arkitekti i njohur botërisht nga Meksika, Michel Rojkind. Me konceptin më bashkëkohor, me hapësira shtesë dhe zgjidhje inovative, këto çerdhe do të jenë simbol i Çairit të ri, vendi ku çdo fëmijë do të ketë mundësi për një fëmijëri të lumtur dhe të sigurt. Detajet për lokacionin, konceptin dhe buxhetin do t’i paraqesim në ditët në vijim”.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për mure dhe ndërtesa, tha më tej Osmani.

“Do të investojmë në materiale edukative, në kënde lojërash moderne, në kopshte ekologjike në çdo oborr për përvojën e parë me natyrën, si dhe në programe për përfshirjen e prindërve dhe partneritetin me edukatoret. Edukimi është punë e përbashkët dhe për këtë arsye, do të mundësojmë ngritje të vazhdueshme profesionale për edukatoret dhe kujdestaret”, u shpreh Osmani dhe tha se çdo fëmijë duhet të ketë të drejtë në çerdhe.