Bujar Osmani: Dje u ngrit populli që tregoi se dinjiteti nuk shkelet!

Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, tha se dita e djeshme dhe sondazhet e publikuara japin një mesazh të vetëm. Populli po flet qartë: dinjiteti i shqiptarëve dhe barazia në shtet janë të paprekshme.

“Do të kishte qenë mirë që dje të vinte dikush nga VMRO-DPMNE për të parë me sytë e vet se aty nuk kishte miting, por popull. Dhe kjo është vetëm nisja. Njerëzit mund të falin shumëçka, por kurrë nuk falin shkeljen e dinjitetit. As tërheqjen për veshë, as tentimin për ta mohuar gjuhën, as përjashtimin nga institucionet”, deklaroi Osmani.

Ai kujtoi se në 15 muajt e fundit pushteti jo vetëm që nuk ka sjellë asnjë përparim, por ka shkelur mbi vlerat më të shenjta që shqiptarët për më shumë se 20 vite i kanë ndërtuar dhe i kanë mbrojtur.

“Nuk ka pasur përparim në këto 15 muaj. Përkundrazi, ka regres. Në raportin e ri të BE-së, që pritet së shpejti, nga 11 kapituj, 10 janë me ngjyrë të kuqe. Këtë ata përpiqen ta mbulojnë me sulme ndaj shqiptarëve, ndaj BDI-së si simbol i përpjekjes për barazi në këtë shtet”, u shpreh Osmani.

Osmani paralajmëroi se retorika nacionaliste e pushtetit nuk mund të fshehë problemet e vërteta të vendit.

“Maqedonia është e të gjithë qytetarëve, maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllehë dhe të tjerë. Në vend të përçarjeve, duhet të kthehemi te normaliteti, te agjenda evropiane, te jeta dhe prosperiteti ekonomik”, tha ai.

Sa i përket sondazhit më të ri të “Market Vision”, të publikuar dje, Osmani kujtoi se edhe vetë koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE ka pranuar se Aleanca Kombëtare për Integrim ka epërsi më shumë se dy me një ndaj VLEN-it. “Kjo është e vërteta që përpiqen ta fshehin, por nuk munden. Populli shqiptar e tha qartë se nuk i do dhe se këto zgjedhje do të jenë një vendim plebishitar”, përfundoi Osmani.