Bujar Osmani: “Çairi do të bëhet kryeqyteti kulturor i Shkupit”

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot e prezantoi projektin e tij “Çair, Qendër Kulturore e Shkupit”, me të cilin Çairi synon të shndërrohet në kryeqytet kulturor të qytetit dhe simbol i multikulturalizmit, traditës dhe krijimtarisë bashkëkohore. “Kjo nuk është shpenzim, por investimi më i madh për të ardhmen e Çairit dhe të gjithë Shkupit,” theksoi Osmani.

Programi parasheh revitalizimin e Çarshisë përmes restaurimit të fasadave, kalldrëmit dhe ndriçimit, si dhe krijimin e një Qendre Kulturore me ekspozita, punëtori artizanale dhe aktivitete turistike. Në kuadër të projektit do të organizohen edhe “Ditët e Çarshive Ballkanike”, me pjesëmarrjen e qyteteve nga rajoni si Prizreni, Gjakova, Shkodra, Gjirokastra, Mostari dhe Sarajeva. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbështetjes së zejtarëve dhe zhvillimit të turizmit, përmes subvencioneve, brendimit të produkteve tradicionale dhe promovimit të gastronomisë lokale.

Jeta kulturore në Çair do të pasurohet me festivale dhe ngjarje të reja, ndër të cilat “Doku n’Shkup”, dy muaj të mbushur me film, muzikë dhe kulturë, si dhe një festival folklorik për nxënësit e shkollave të Çairit. Projekti gjithashtu parashikon investime në të rinjtë përmes bursave për nxënës e studentë të talentuar, subvencioneve për instrumente muzikore, kabinete moderne muzike dhe ndërtimin e një lexhitorjeje bashkëkohore të hapur për të gjithë qytetarët.

Si risi, do të themelohet edhe Muzeu Virtual i Çairit, një arkiv digjital me histori, fotografi dhe kujtime të banorëve, i cili do të mundësojë ruajtjen dhe qasjen e trashëgimisë kulturore. Po ashtu, parashihet ndërtimi i një objekti modern e gjithëpërfshirës me salla për teatër, koncerte, ekspozita dhe aktivitete rinore.

“Çairi ka potencial të jetë jo vetëm komunë, por edhe simbol i rilindjes kulturore të Shkupit. Ne do të investojmë në kulturë, art dhe të rinj, sepse ata janë garancia e së ardhmes. Me ‘Çair, Qendër Kulturore e Shkupit’ do të krijojmë një ambient ku tradita dhe bashkëkohorja bashkohen në një,” u shpreh Bujar Osmani.

Me këtë projekt, Çairi do të bëhet zemra e jetës kulturore të Shkupit, vend ku historia, e tashmja dhe e ardhmja takohen dhe hapin perspektiva të reja.

Bujar Osmani: “Çairi do të bëhet kryeqyteti kulturor i Shkupit”