Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka refuzuar gjatë verës tri oferta të majme nga klubet e Ligës Profesionale Saudite, të mbështetura nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite, sipas raportimeve të talkSPORT.
Në fillim të merkatos, Al-Hilal bëri një përpjekje të fuqishme, duke ofruar 100 milionë paundë (rreth 115 milionë euro) për United dhe një kontratë personale prej 200 milionë paundësh (230 milionë euro) për lojtarin. Pavarësisht shifrave marramendëse, mesfushori portugez i bëri të qartë klubit se dëshiron të mbetet në “Old Trafford” për të ndihmuar në rindërtimin e skuadrës.
Lexo edhe:
Kosova pa kapitenin, konfirmohet mungesa e Amir Rrahmanit për ndeshjen ndaj Suedisë
Më pas, ishte radha e Al Nassr, ekipi i Jorge Jesus, Cristiano Ronaldos dhe João Félix-it, që paraqiti një ofertë të ngjashme. Megjithatë, Fernandes nuk ndryshoi qëndrim, duke refuzuar sërish.
Në ditët e fundit të merkatos evropiane, interesim serioz tregoi edhe Al Ittihad, por transferimi u bë i pamundur për shkak se kuota e lojtarëve të huaj në klub ishte e mbushur. Për të siguruar shërbimet e portugezit, skuadra saudite do të duhej të shiste një nga ‘yjet’ ekzistues, diçka që nuk ndodhi.
Edhe pse merkatoja saudite mbyllet më 10 shtator, duket e qartë se Bruno Fernandes ka marrë një vendim të prerë: ai mbetet i përkushtuar ndaj Manchester United dhe nuk tundohet nga ofertat e pasura të Arabisë.