Blerim Bexheti – Adnan Azizit: Pse i rren njerëzit? Dil e trego kush janë ata që duan ta djegin Xhaminë! (VIDEO)

Në seancën e sotme parlamentare, deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetit të Lëvizjes BESA, Adnan Azizi, i cili në një tubim të VLEN-it theksoi se disa individë  kanë qëllim ta djegin xhaminë në Kodrën e Diellit.

“Mos rrej, Adnan Azizi! Dil dhe thuaj hapur kush janë ata që, sipas teje, po planifikojnë të djegin xhaminë. Mos e hidh popullin në panik me shpifje dhe insinuata të rrezikshme,” – tha Bexheti nga foltorja e Kuvendit.

Ai shtoi se në një kohë kaq delikate për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, deklarata të tilla vetëm sa e dëmtojnë unitetin dhe i shërbejnë agjendave të errëta.

“Nëse ke fakte, trego. Nëse jo, mos i mashtro njerëzit për përfitime politike. Xhamitë nuk janë armë politike dhe as nuk janë çështje për manipulim elektoral,” theksoi Bexheti.

Përplasja mes dy deputetëve ndodhi në kuadër të debatit parlamentar për situatën politike dhe sociale në vend, ku çështjet fetare u përmendën në kontekstin e tensioneve të fundit./TS