Bilall Kasami vazhdon me promovimin e projekteve të BDI-së

Duke mos pasur asnjë ide, vizion dhe projekt të filluar që nga marrja e mandatit, Kasami dhe udhëheqësia komunale vazhdon të promovojë projektet e BDI-së, njëjtë siç ka bërë tashmë 4 vite me radhë.

Projekti i promovuar sot, në lagjen 146 – Bregu i Diellit, për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit është një projekt tërësisht i projektuar dhe buxhetuar në kohën e BDI-së.
Së pari, në këtë lagje është ndërtuar bazeni akumulues i ujit të pijshëm, në vlerë prej 3 milionë denarëve.

Në vitin 2020, kur BDI udhëhiqte me pushtetin lokal, nga komuna e Tetovës janë ndarë 13 milionë denarë për ndërtimin e ujësjellësit nga filter-stacioni në fshain Lisec deri te bazeni në lagjen 146, me gjatësi të tubacionit prej 3 km.

Më pas, në vitin 2021, Ministria e Ekologjisë ndau edhe 17 milionë denarë për ndërtimin e rrjetit shpërndarës të ujësjellësit dhe punimet filluan në gusht të vitit 2021, përsëri në kohën e BDI-së.
Bilall Kasami dhe udhëheqësia komunale me qëllim e kanë prolonguar vazhdimin e punimeve vetëm e vëtëm që këtë ta bëjnë në kohë të fushatës për të fituar ndonjë pikë politike. Ky prolongim i qëllimshëm ka bërë që qytetarët tashmë katër vite ta vuajnë mungesën e ujit, kur gjithçka ka qenë gati në vitin 2021.

Edhe njëherë theksojmë se kjo qeverisje komunale, për katër vite sa ishte në pushtet nuk ka realizuar asnjë premtim nga fushata e zgjedhjeve të kaluara, dhe asnjë projekt nuk ka bërë gjatë këtyre katër viteve në pushtet. Krejt çfarë kanë bërë, ka qenë promovimi i projekteve të BDI-së.

Qytetarët e njohin të vërtetën dhe më datë 19 tetor do t’ua japin përgjigjen e merituar njerëzve që mashtrimin e kanë armën e tyre të vetme.