ASH: VLEN të ndalë lojën me dinjitetin e nxënësve shqiptarë në Nerovë – kërkojmë llogari për premtimet e pambajtura!
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë dhe indinjatë për faktin se, pavarësisht premtimeve publike nga përfaqësues të grupacionit VLEN, nxënësit shqiptarë të fshatit Nerovë në Komunën e Krushevës nuk e kanë nisur vitin e ri shkollor në objektin e ri shkollor, por janë detyruar të vazhdojnë mësimin në godinën e vjetër, e cila prej kohësh është e papërshtatshme dhe e rrezikshme për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Kjo është edhe një dëshmi tjetër e dështimeve të njëpasnjëshme të VLEN-it, i cili, në vend që të punojë për zgjidhjen reale të problemeve jetike të qytetarëve shqiptarë, vazhdon të bëjë politikë me premtime të pambajtura dhe propagandë boshe. Edhe më shqetësues është fakti se ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Denion Meidani, u përball me sharje dhe fyerje nga eksponentë të lartë të grupacionit VLEN, vetëm pse ngriti shqetësimin për këtë çështje.
ASH kërkon llogari të qartë dhe publike nga përgjegjësit institucionalë dhe politikë për këtë skandal dhe paralajmëron se nuk do të lejojmë që fëmijët shqiptarë të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.
Nxënësit e Nerovës meritojnë kushte dinjitoze për mësim, jo mashtrime para kamerave.
Mjaft më me premtime boshe – është koha për veprim konkret dhe përgjegjësi!