ASH: Sërbia sot e shpalli Maqedoninë e Veriut tokë sërbe, Qeveria e miratoi me prezencën e zv.kryeministrit
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale të Sërbisë sot e shpalli Maqedoninë e Veriut tokë sërbe, duke publikuar edhe zyrtarisht implementimin e projektit për futjen e vendit tonë në të ashtuquajturën “Sërbski Svet”.
Nga Manastiri dhe Kajmakallën u kremtua okupimi i Maqedonisë nga Sërbia, Manastiri dhe Ohri u shpallën qytete sërbe, ndërsa flamurin sërb e shpallën “Flamur të bashkimit”. E gjithë kjo ndodhi në prezencë të zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç, që paraqet një miratim zyrtar nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për gjithë atë që ndodhi e u tha nga ministrja sërbe. E gjithë ceremonia u shoqërua me policë e ushtarë të Sërbisë, që simbolizon okupimin e vendit dhe shkel Kushtetutën dhe sovranitetin.
Ky akt konfirmon të gjitha paralajmërimet tona se Qeveria VMRO-ZNAM po e bën Maqedoninë e Veriut pjesë të Botës Sërbe, ndërsa partitë shqiptare nga VLEN e legjitimojnë dhe arsyetojnë tanimë edhe me veprime konkrete.
Këto veprime ndryshojnë krejtësisht orientimin e vendit, nga një shtet i pavarur dhe i gjithë qytetarëve, në një provincë sërbe, nga një vend europian dhe anëtar i NATO-s, në një poligon të Sërbisë dhe Rusisë.