Arkitekti Michel Rojkind dhe Bujar Osmani e prezantuan “Vizionin Çair 2040”, zgjidhje për kaosin urbanistik

Arkitekti me famë botërore nga Meksika, Michel Rojkind, e vendosi Çairin në radhën e vizioneve të tij urbane, bashkë me Mexico City dhe një sërë qytetesh të tjera në botë. Në partneritet me kandidatin për kryetar komune, Bujar Osmani, sot e prezantoi “Vizionin Çair 2040”, plan strategjik për një rilindje të plotë urbanistike.

Osmani zbuloi se ideja ka nisur nga një thirrje telefonike dhe një rrëfim i sinqertë për Çairin:
“Kur i tregova Rojkindit për Çairin se ka sipërfaqe prej 3,5 km², me 80 mijë banorë, komuna më e dendur në Evropë, se njerëzit kanë nevojë për një vizion, për angazhim ndërkombëtar që t’iu rikthehet shpresa, ai dhe ekipi i tij pa asnjë hezitim pranuan të bëhen pjesë”, tha në hyrje Osmani.

Bashkëpunimi i tyre është zhvilluar përmes muajve me takime, diskutime dhe planifikime të përbashkëta:
“Kemi pasur shumë takime, si online ashtu edhe drejtpërdrejt. Mendoja se si arkitekt do të fliste vetëm për ndërtesa, por Michel fliste për njerëzit, për këmbësorët, për gratë shtatzëna që ecin në trotuare, për fëmijët në karroca, për shëndetin”, tha Osmani.

Në fjalimin hyrës Osmani tha: “I thashë: unë jam mjek, ti je arkitekt. Por përgjigjja e tij ishte: ne nuk ndërtojmë, nuk bëjmë projekte vetëm që të ndërtohet diçka. Ne bëjmë projekte për njerëzit, ua kthejmë qytetin njerëzve”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, plani është më shumë se një projekt; është një mënyrë e re e të shikuarit urbanizmin, që nis nga problemet e përditshme dhe krijon zgjidhje për jetën reale.