Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim , Ali Ahmeti, ka njoftuar se sonte në Çair është nënshkruar “Akti i Çairit”, një dokument që sipas tij shënon bashkimin më të madh kombëtar që nga viti 2001.
“Sonte, në Çair, bashkë me Bujar Osmanin dhe Skender Rexhepin – Zejdin, nënshkruam Aktin e Çairit, duke vulosur bashkimin më të madh kombëtar që nga viti 2001” tha Ahmeti duke i dhënë mbështetje të fuqishme Bujar Osmanit për Çairin ku bashkë me Ahmetin ishte edhe Arijanit Hoxha.
Ahmeti theksoi se ky akt përfaqëson një bashkim të forcave politike dhe qytetare për mbrojtjen e të arriturave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke rikthyer dinjitetin dhe nderin e komunitetit.
“Të gjithë janë të bashkuar, si më parë, për ta kthyer dinjitetin, për ta kthyer nderin, për t’i mbrojtur të arriturat. Atëherë kushtrimi ishte për ta fituar barazinë, sot është për ta mbrojtur atë”, tha Ahmeti sonte nga Çairi.
Ai bëri thirrje për unitet kombëtar dhe mobilizim të përgjithshëm në prag të referendumit të paralajmëruar për muajin tetor, që po konsiderohet si një moment vendimtar për të ardhmen politike të shqiptarëve në vend.
“#Bashkë për t’i dhënë fund diskriminimit, nënçmimit, keqmenaxhimit. Lëvizja gjithëpopullore e rezistencës dhe shpresës po bëhet çdo ditë më e fuqishme dhe më gjithëpërfshirëse!”, tha Ahmeti.
Nënshkrimi i “Aktit të Çairit” vjen në një periudhë të rëndësishme politike, ku partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut po kërkojnë riorganizim dhe koordinim të ri përballë sfidave të brendshme dhe ndërkombëtare.