Aleanca për Shqiptarët: Sulmi në Tetovë është akt barbar me bazë etnike, kërkojmë përgjegjësi institucionale
Aleanca për Shqiptarët shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për aktin e fundit të dhunës brutale në Tetovë, ku mbi 20 huliganë të grupit “Vojvoda” kanë sulmuar barbarisht dy nxënës shqiptarë të shkollës së mesme ekonomike.
Ky sulm, i cili ka lënë pas dy të mitur me lëndime të rënda – njëri me hundë të thyer dhe tjetri me brinjë e krah të thyer – është dëshmi e një klime të papranueshme urrejtjeje etnike dhe tolerance institucionale ndaj huliganizmit.
Kërkojmë urgjentisht nga Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike që të identifikohen dhe të arrestohen menjëherë të gjithë autorët e këtij akti kriminal, të cilët jo vetëm që kanë rrezikuar jetën e dy të rinjve, por kanë goditur edhe ndjenjën e sigurisë së qytetarëve.
Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se heshtja dhe mosveprimi i shtetit përballë rasteve të tilla vetëm sa i inkurajojnë grupet huligane që të përsërisin sulme të ngjashme.
Dhuna ndaj fëmijëve është vijë e kuqe dhe përgjegjësia bie mbi institucionet që duhet të garantojnë rend dhe siguri”, theksohet më tej.
ASh qëndron pranë viktimave dhe familjeve të tyre, duke i inkurajuar të kërkojnë drejtësi deri në fund. Ky rast, nuk duhet të mbyllet si një incident i zakonshëm, por të trajtohet si akt i dhunës së organizuar me bazë etnike.