Aleanca për Shqiptarët: Sulmi në Manastir pasqyrë e albanofobisë së toleruar nga shteti

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në “Rrugën e Gjerë” në Manastir, ku një i ri shqiptar u sulmua fizikisht vetëm pse mbante veshur një bluzë me simbole kombëtare shqiptare.

Në reagimin e saj, Aleanca e cilëson këtë akt si të turpshëm dhe thellësisht shqetësues, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, por për një shfaqje të hapur të albanofobisë që po tolerohet nga institucionet shtetërore.

“Qeveria aktuale, me politikat përjashtuese dhe qasjen diskriminuese, ka krijuar një klimë të rrezikshme ku urrejtja ndaj shqiptarëve manifestohet lirshëm në rrugë. Edhe më shqetësuese është heshtja dhe mosreagimi i policisë, që në vend se të garantojë sigurinë dhe barazinë, shpeshherë zgjedh të mbyllë sytë,” thuhet në deklaratën e partisë.

Aleanca për Shqiptarët kërkon hetim të menjëhershëm, identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të sulmit, si dhe përgjegjësi nga organet e rendit për mosveprimin e tyre.

“Çdo sulm i tillë që synon dinjitetin kombëtar shqiptar është një sulm ndaj bashkëjetesës dhe vetë demokracisë,” përfundon deklarata.