Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka reaguar përmes një demanti ndaj akuzave të paraqitura në një emision në rrjetet sociale që e ndërlidhin atë me një vizitë në Beograd. Në reagim, Kabineti i tij thekson se përmbajtja e atij publikimi është “tendencioze, e mbushur me pasaktësi dhe me synim manipulimin e opinionit publik”.
Sipas Gashit, udhëtimi i datës 27 tetor 2024 është paraqitur në mënyrë të rreme si vizitë në Beograd, ndërsa në realitet bëhej fjalë për vizitë në Preshevë. Ai shton se deri tani asnjë gazetar apo medium nuk ka kërkuar informacion zyrtar mbi këtë çështje, gjë që sipas tij “konfirmon karakterin joprofesional dhe joetik të publikimit”.
Në reagim, Gashi thekson gjithashtu se Kryetari i Kuvendit, sipas ligjit, është i detyruar të jetë nën përcjellje të vazhdueshme të shërbimit të sigurisë së MPB-së, ndërsa paraqitja e këtij fakti si “sensacion” është quajtur “përpjekje për mashtrim të opinionit”.
“Kryetari i Kuvendit vazhdon t’i kryejë përgjegjësitë e tij me transparencë të plotë dhe përkushtim institucional. Asnjë manipulim nuk mund ta zbehë punën e tij, ndërsa Kuvendi mbetet i hapur dhe llogaridhënës në shërbim të qytetarëve”, thuhet në demantin e Kabinetit të Gashit.