Adnani i VREDI-t bën shqiponjën në tubim!

Medai Shaholli

Të bësh shqiponjën me duar në Tetovë nuk do të thotë shumë pasi Tetova është komunë me shumicë shqiptare, ku bandat e komitëve nuk arrijnë deri te salla e tubimit për ta ndaluar efendi Adnanin t’i “provokojë” ata me shqiponjën.

Të bësh shqiponjën sot në “Shirok Sokak” të Manastirit është guxim i madh, pasi duhet të përballesh me sulmet e zagarëve komitë ku mund të kafshojnë dhe të të lëndojnë, madje mund të përfundosh si qen i rrahur pa mbrojtje të policisë dhe të “državës” nga qentë langaraq që ajo i ndërsen kundër shqiponjave që shfaqin identitetin e tyre në qytetin e Alfabetit.

Të bësh shqiponjën në një qendër shqiptare si Tetova është e lehtë, por t’i mbosh shqiptarët në Manastir nuk është aspak e lehtë, pasi përballesh me shovinizmin shtetëror dhe ti rri duarkryq në kolltuqet e buta qeveritare të pallatit të bardhë si dekor dhe kozmetikë para ndërkombëtarëve.

Vredistët në qeverinë e koalicionit janë numra të parëndësishëm të cilët i ngrejnë kartonët e gjelbër kundër vullnetit të tyre.
Për me shumë, ata janë rrota rezervë e qeverisë së koalicionit që mund të zëvendësohen me cilindo subjekt politik kur t’i teket kryekomitit Micko.

Pozicion i shqiptarëve me ardhjen e VREDI-t në pushtet në vend që të forcohej ai po baltoset dhe denigrohet, ku asgjë nuk duket në horizont nga ndryshimi i paralajmëruar nga vredistët, përkundrazi ata e lumosën dhe katranosën dinjitetin shqiptar dhe pozitën e shqiptarëve edhe më keq duke na trajtuar si nomadë shkretëtirave jashtë civilizimit dhe qytetërimit europian.

Lëreni shqiponjën të fluturoj lart dhe i dilni zot atyre djemve dhe vajzave që identifikohen me shqiponjën në Manastir apo në ndonjë qytet tjetër sepse mbrojtja e identitetit kombëtar është përgjegjësi dhe detyrë e juaja para qytetarëve shqiptarë si pjesë e kupolës qeveritare.