22 Casino në Çair, pse nuk u mbyllën deri tash? Përgjigjet zv/ kryeministri Izet Mexhiti! (VIDEO)

Në një intervistë ekskluzive për TetovaSot, zv/kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, u përball me një pyetje të drejtpërdrejtë nga gazetari Nevrij Ademi në lidhje për kazinot dhe bastoret në komunën e Çairit

Gazetari Nevrij Ademi: Pse ende funksionojnë 22 kazino në Çair, ndonëse ishte premtuar mbyllja e tyre?

Mexhiti u përgjigj se tashmë është në fuqi ligji i ri për lojërat e fatit, i cili përmban masa shumë të forta kufizuese për këtë sektor.

“Ligji i ri është i qartë, në gjithë Maqedoninë e Veriut lejohen vetëm 3 kazino me licencë dhe asnjë tjetër. Bastoret dhe klubet e lojërave elektronike duhet të jenë të paktën 500 metra larg nga çdo shkollë, çerdhe apo institucion arsimor,” tha Mexhiti.

Sipas Mexhitit me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për lojërat e fatit, Çairi nuk përmbush më asnjë kriter ligjor për të pasur kazino apo bastore.

“Në çdo cep të Çairit ka një shkollë, çerdhe apo institucion arsimor. Kjo do të thotë që asnjë kazino dhe asnjë bastore nuk mund të funksionojë më në këtë komunë”, tha Mexhiti për TetovaSot.