12 milionë denarë pa leje ndërtimi: Skandal në Komunën e Tetovës për bulevardin “Boris Kidriç”

Tetovë, 8 Shtator 2025 – Projekti për ndërtimin e bulevardit “Boris Kidriç” në Tetovë është vënë në qendër të kritikave të ashpra, pasi kandidati për kryetar të AKI-së, Bajram Rexhepi, ka publikuar detaje që ngrenë dyshime serioze për shkelje ligjore dhe keqpërdorim të fondeve publike informonTetovasot.

Sipas Rexhepit, për ndërtimin e këtij bulevardi janë nënshkruar dy kontrata ndërtimore me operatorë ekonomikë, më datë 6 shkurt dhe 7 gusht 2024, me një vlerë totale mbi 12 milionë denarë (rreth 195 mijë euro). Megjithatë, leja e ndërtimit për projektin është lëshuar vetëm më 16 tetor 2024 – pothuajse një vit pas nënshkrimit të kontratave dhe pas fillimit të punimeve.

Më problematike, sipas tij, është fakti se leja e dhënë nga Komuna e Tetovës nuk është për ndërtim të ri, por për rikonstruksion, gjë që nuk përputhet me natyrën e projektit, pasi bëhet fjalë për ndërtim të një traseje të re.

“Sigurimi i lejes së ndërtimit është procedurë që duhet të bëhet paraprakisht, jo pas nënshkrimit të kontratave. Kjo është jo vetëm tallje me qytetarët, por edhe një shkelje e rëndë ligjore që ngre dyshime për korrupsion dhe abuzim me procedurat,” – u shpreh Rexhepi në një deklaratë për opinionin publik.

Ai akuzoi komunën se po përpiqet të “fshehë të vërtetën përmes keqinformimit” dhe paralajmëroi se “koha e përgjegjësisë po afrohet dhe përgjegjësi do të ketë”.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës ende nuk ka dalë me një sqarim zyrtar për këtë çështje.Tetovasot