Zëvendësimi i drejtorëve shqiptarë në Neurologji dhe Kardiologji – Alarm i rëndë për të drejtat dhe përfaqësimin e shqiptarëve!
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin më të thellë dhe refuzimin e plotë ndaj vendimit skandaloz për shkarkimin e dr. Fatmir Mexhitit dhe dr. Bekim Pocestës nga drejtimi i klinikave të Neurologjisë dhe Kardiologjisë, dhe zëvendësimin e tyre me kuadro maqedonase.
Ky akt i papranueshëm tregon qartë një politikë diskriminuese dhe të qëllimshme të përjashtimit të shqiptarëve nga pozitat kyçe në sistemin shëndetësor, në një kohë kur përfaqësimi i drejtë i komunitetit tonë duhet të jetë prioritet i qeverisë.
Në mandatin e ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, përfaqësues i VLEN-it dhe aleat i VMRO-DPMNE-së, po shohim një shkelje flagrante të marrëveshjeve për përfaqësim dhe respekt të barazisë etnike.
Ne pyetim qeverinë:
Pse shqiptarët largohen kaq lehtë nga pozitat që i kanë fituar me mund e kohë?
Pse nuk janë propozuar kuadro shqiptarë të tjerë në vend të tyre?
Çfarë po ndodh me premtimet për përfaqësim të barabartë në qeveri dhe institucione?
Ky veprim nuk është thjesht një ndryshim administrativ – është një mesazh politik për shqiptarët: jeni të zëvendësueshëm dhe jo të respektuar!
Aleanca për Shqiptarët kërkon menjëherë rishqyrtimin e këtij vendimi dhe garantimin e përfaqësimit të denjë dhe meritokracisë në institucionet shëndetësore dhe më gjerë.
Ne do të vazhdojmë të jemi zëri i shqiptarëve dhe do të luftojmë pa kompromis për të drejtat dhe barazinë tonë!