Zelensky: Nuk do t’ua japim tokën tonë pushtuesve

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e bëri edhe një herë të qartë se nuk do të heqë dorë nga asnjë pjesë e territorit ukrainas në këmbim të “paqes” me Rusinë.

“Vetëm me Ukrainën mund të garantohet siguria e vendeve demokratike”, tha ai gjatë aktiviteteve për Ditën e Flamurit Kombëtar të Ukrainës, duke theksuar se qëndrueshmëria e rendit ndërkombëtar varet nga respektimi i kufijve dhe sovranitetit të shteteve.

Deklarata e liderit ukrainas vjen në një moment kur në arenën ndërkombëtare po shtohen zërat që nxisin arritjen e një marrëveshjeje paqeje përmes kompromisit territorial.

Së fundmi, edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka sugjeruar në një deklaratë se në një fazë të caktuar të luftës, Ukraina dhe Rusia mund të detyrohen të shkëmbejnë territore si pjesë e një zgjidhjeje përfundimtare.

Megjithatë, Zelensky i ka refuzuar kategorikisht këto ide, duke i konsideruar ato si të papranueshme dhe të rrezikshme, jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë botën demokratike.

Ky qëndrim i fortë është një mesazh i qartë, jo vetëm për Kremlinin, por edhe për aleatët perëndimorë të Ukrainës, se çdo përpjekje për të zgjidhur konfliktin me çmimin e copëtimit territorial do të dështojë për sa kohë që populli ukrainas qëndron i bashkuar dhe i vendosur në mbrojtje të sovranitetit të tij.