Zbulim i rrallë në Australi: Insekti-shkop 40 cm tërheq vëmendjen e shkencëtarëve

Një insekt shkop i sapozbuluar në Australi ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve, pasi megjithëse peshon më pak se një top golfi, mund të jetë insekti më i rëndë i këtij lloji në vend.

I quajtur Acrophylla alta, insekti arrin një gjatësi prej 40 centimetrash dhe u zbulua në zonat malore të Athertonit, në veri të Queensland-it. Sipas ekspertëve, përmasat e mëdha mund të lidhen ngushtësisht me kushtet e veçanta të habitatit ku jeton.

Në një artikull të publikuar në revistën shkencore Zootaxa, thuhet se ky insekt shkop ka gjasa të jetë më i rëndë se karkaleci gjigant, një specie endemike e Queensland-it.

Zbulimi u bë pas disa netësh kërkimi nga studiuesit Angus Emmott dhe Ross Coupland. Ata panë një femër të këtij insekti në një lartësi të tillë, sa u desh të përdornin një shkop për ta zbritur. Coupland, sapo e vëzhgoi nga afër, dyshoi menjëherë se kishin të bënin me një lloj të panjohur më parë.

Insekti u mor për studim, u vendos në një kafaz dhe u ushqye për të marrë disa nga vezët e tij. “Te insektet shkop, vezët janë shumë të rëndësishme për identifikim, sepse çdo lloj ka vezë të veçanta,” shpjegon Emmott.

Ai dyshon se kjo specie ka kaluar pa u vënë re më parë për shkak të vështirësisë në qasjen ndaj habitatit të saj, që ndodhet në një zonë të ftohtë dhe të lagësht. Sipas tij, pikërisht këto kushte mund të kenë ndikuar në zhvillimin e përmasave të mëdha të insektit, duke i ndihmuar të mbijetojë në klimën e ashpër të rajonit.