Të paktën 33 palestinezë, përfshirë edhe ata që prisnin për ndihma, u vranë në sulmet që ushtria izraelite kreu në orët e mëngjesit në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Sipas burimeve spitalore dhe dëshmitarëve okularë, ushtria izraelite në sulmet e saj në orët e mëngjesit krahas tendave dhe shtëpive ku qëndronin palestinezë të zhvendosur, shënjestroi edhe ata që prisnin për ndihma humanitare.
Ushtria izraelite shënjestroi një tendë në të cilën ndodheshin palestinezë të zhvendosur në kampin e refugjatëve Al-Shati në perëndim të qytetit të Gazës. Në sulm u vranë 5 persona, përfshirë një burrë, një grua dhe tre fëmijët e tyre.
Ndërkohë 4 palestinezë, përfshirë fëmijë, u vranë në një sulm ajror që goditi një tendë pranë Universitetit Islamik në qytetin e Gazës.
Në sulm ajror izraelit që shënjestroi një shtëpi në qytezën veriore Jabalia Nezler u vranë 3 palestinezë dhe u plagosën 10 të tjerë.
– Vazhdojnë sulmet në lagjet Zeitoun dhe Sabra
Ushtria izraelite vazhdon të bombardojë dhe shkatërrojë shtëpitë e civilëve në lagjet Zeitoun dhe Sabra. Një shtëpi u bombardua në lagjen Sabra në jug të qytetit të Gazës, duke vrarë dy fëmijë dhe duke plagosur të tjerë.
Ushtria izraelite shënjestroi ndërtesën e fondacionit në lagjen Zeitoun, e cila strehon persona të zhvendosur. Katër palestinezë nga e njëjta familje u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulm.
Nga pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës u dëgjuan shpërthime të forta dhe u vërejtën re të dendura tymi që u ngritën pas bombardimeve ajrore dhe artilerie që shënjestruan lagjen Zeitoun. Ushtria izraelite ka kryer masakra, zhvendosje të detyruara dhe prishje shtëpish në lagjen Zeitoun që nga 11 gushti, si pjesë e planit të saj për të ripushtuar gradualisht Rripin e Gazës.
– Sulme ndaj kampit të refugjatëve Nuseirat
Ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj njerëzve që prisnin për ndihma humanitare në kampin e refugjatëve Nusairat në veri të Gazës qendrore. Në sulm u vranë 8 palestinezë.
Një palestinez u vra dhe disa të tjerë u plagosën kur ushtria izraelite bombardoi nga një helikopter një apartament në kampin e refugjatëve. Një shtëpi palestineze në perëndim të kampit Nuseirat u bombardua, ku si pasojë u vrarë dy palestinezë, përfshirë një fëmijë.
Në sulmin ku u shënjestrua një shtëpi që ndodhej në afërsi të furrës së bukës në kamp, humbi jetën një palestinez.
– Sulmet ndaj rajoneve jugore
Një grua dhe dy fëmijë u vranë në një sulm ajror ndaj shtëpisë së një familjeje palestineze në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës. Një nga fëmijët thuhet se ishte foshnjë.
Një tendë që strehonte njerëz të zhvendosur pranë spitalit fushor Al-Hilal në zonën El-Mawasi të Khan Younis, u shënjestrua nga një dron izraelit ku si pasojë u plagosën 12 palestinezë.