Vrasje në Bardovcë/Personi i cili më parë e kishte vrarë nënën e tij, lëvizte i lirë në Shkup

Me goditje me një shishe qelqi, 35-vjeçari Dimitar Spasov nga Negotina vrau një të dënuar tjetër në një përleshje që ndodhi në repartin gjyqësor të Spitalit Psikiatrik në Bardovcë. Incidenti ndodhi pas një zënke për një krevat. Viktima, 62-vjeçar nga fshati Lubancë e Shkupit, ishte i dënuar për vrasje, ndërsa autori po vuante dënimin për dhunë në familje. Ministria e Punëve të Brendshme informon se me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për autopsi, ndërsa ndaj dhunuesit do të ngrihet kallëzim përkatës.

“Më 5 gusht 2025 në orën 01:38 në SPB Shkup është raportuar se rreth 50 minuta pas mesnate në Institucionin Shëndetësor Publik “Spitali Psikiatrik Shkup” në Bardovcë, në një dhomë të repartit gjyqësor, ka ndodhur një përleshje fizike mes të dënuarve D.S., 35 vjeç nga Negotina dhe I.T., 62 vjeç nga fshati Lubancë, Shkup. Gjatë përleshjes, nga goditjet me një shishe qelqi, I.T. ra pa ndjenja dhe u transportua në Qendrën Urgjente të Kompleksit Klinik “Nëna Terezë”, ku ndërroi jetë në orën 02:20”, thonë nga MPB.

Punonjësit e Spitalit Psikiatrik kishin raportuar më parë për probleme me dhunuesin, i cili kishte publikuar edhe video ku rrihte të dënuarit e tjerë, por megjithatë Spasov lëvizte i lirë në qytet. Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu deklaroi se është e nevojshme rritja e kapaciteteve të stafit në spital.

“Para një muaji e gjysmë kam publikuar me fotografi dhe tekst se aty duhen investime si nga aspekti i infrastrukturës, ashtu edhe nga aspekti i përforcimit të kapaciteteve njerëzore. Fatkeqësisht ky rast do ta përshpejtojë procesin, por duhet të mësojmë – unë jam për krijimin e politikave, që ministria të parandalojë dhe jo të veprojë vetëm pas rasteve të tilla”, theksoi Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.

Vrasësi Spasov është tashmë i njohur për policinë për vepra penale të rënda, përfshirë edhe vrasjen makabre të nënës së tij në vitin 2012. Ai atëherë ishte 23 vjeç, dhe pasi e kishte vrarë me disa goditje me thikë, e kishte hedhur në një kontejner, ku ishte vërejtur nga punëtorët komunalë. Madje kishte mburrur në rrjetet sociale se kishte vrarë nënën e tij.