VLEN: Jo fjalë por vepra, kondicionerë inverter për qindra familje në nevojë

Ju njoftojmë për një vendim që dëshmon se qeverisja jonë është qeverisje e veprave dhe jo e premtimeve boshe. Përmes këtij programi, janë ndarë 170 milionë denarë në mbështetje të familjeve më të cenueshme, duke siguruar për to kondicionerë inverter me efikasitet të lartë energjetik A+. Kështu kanë thënë nga koalicioni VLEN, ndërsa e kanë quajtur një hap gjigant vendimin në fjalë.

“Ky nuk është një hap i zakonshëm. Ky është një hap gjigant drejt përmirësimit të kushteve të jetesës, sepse këto pajisje do të sigurojnë ngrohtësi në dimër dhe freski në verë, duke kursyer energji dhe duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit jetësor. Ky projekt është dëshmi se qeverisja e VLEN është qeverisje me zemër dhe me përgjegjësi, sepse politika jonë buron nga hallet dhe nevojat e qytetarëve. Ky është mesazh i qartë se asnjë familje nuk do të mbetet pas, dhe se çdo qytetar ka të drejtë të jetojë me dinjitet dhe standard të denjë”, thonë në VLEN.

Shpallja, vijon më tej njoftimi, është tashmë e hapur dhe do të zgjasë 60 ditë. “Ftojmë të gjithë ata që plotësojnë kushtet të aplikojnë dhe të përfitojnë nga ky projekt i madh, i cili prek drejtpërdrejt qindra familje dhe mijëra jetë. Ky është ndryshimi që e kemi premtuar. Ky është ndryshimi që VLEN po e sjell çdo ditë”.