Një koalicion i 31 kombeve arabe dhe myslimane, përfshirë Lidhjen Arabe, ka dënuar ashpër deklaratat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mbi vizionin e tij për një “Izrael të Madh”.
Ky reagim erdhi pas një interviste të transmetuar të martën, ku Netanyahu, kur u pyet nga gazetarja Sharon Gal në lidhje me qëndrimin e tij mbi një “Izrael të Madh”, e konfirmoi se ishte “absolutisht” dakord me këtë ide.
Koncepti i “Izraelit të Madh” është mbështetur nga grupe izraelitësh ultranacionalistë dhe ka si qëllim zgjerimin e territorit të Izraelit, duke përfshirë Bregun Perëndimor të pushtuar, Gazën, si dhe pjesë të Libanit, Sirisë, Egjiptit dhe Jordanisë. Ky vizion ekspansionist ka shkaktuar shqetësime të mëdha ndërkombëtare për stabilitetin e rajonit.
Në një deklaratë të përbashkët të koalicionit arab dhe islamik, thuhet se deklaratat e Netanyahut përbëjnë një “shpërfillje të rëndë dhe një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe themeleve të marrëdhënieve ndërkombëtare”. Ato gjithashtu janë cilësuar si “një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare arabe, sovranitetin e shteteve dhe paqen rajonale e ndërkombëtare”.
Koalicioni i shteteve arabe dhe myslimane gjithashtu ka dënuar njoftimin e Ministrit të Financave izraelit, Bezalel Smotrich, për vazhdimin e zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar. Ata e kanë cilësuar këtë veprim si një “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare” dhe një “sulm ndaj të drejtës së popullit palestinez për të formuar një shtet të pavarur dhe sovran, me Jerusalemin e pushtuar si kryeqytet”.
Deklarata e lëshuar nga Lidhja Arabe dhe organizatat ndërkombëtare të përfshira thekson se Izraeli nuk ka sovranitet mbi territoret e pushtuara palestineze dhe bëri thirrje për respektimin e të drejtave të palestinezëve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.