Në 24 orët e fundit pesë palestinezë të tjerë, përfshirë një fëmijë kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës, ku po përjetohet uri për shkak të sulmeve dhe bllokadave izraelite, transmeton Anadolu.
Ministria Palestineze e Shëndetësisë në Gaza në një deklaratë me shkrim ndau të dhënat e fundit lidhur me ata që kanë vdekur nga uria.
Deklarata vuri në dukje se uria e imponuar në Gazën që ndodhet nën sulmet dhe bllokadat izraelite, vazhdon të marrë jetë njerëzish, ku si pasojë pesë palestinezë të tjerë, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit.
Numri i njerëzve që kanë vdekur nga uria në Gaza që nga 7 tetori 2023, është rritur në 222, ku 101 prej tyre janë fëmijë.
Gaza po vdes nga uria
Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe një rrethimi të rreptë që kufizon hyrjen e ndihmës humanitare, po përjeton katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe materialesh higjienike.
Vdekjet nga uria, veçanërisht midis fëmijëve, po rriten në Rripin e Gazës. Qarqet lokale dhe ndërkombëtare thonë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”. Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Gazës duke shkatërruar edhe infrastrukturën civile, shpesh synon palestinezët e zhvendosur me urdhër dëbimi në zonat ku ata janë strehuar.
Raportohet se numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e deportimit izraelit në Gaza, e cila ka një popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, ka arritur në 2 milionë dhe shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.
Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët e zhvendosur përpiqen të mbijetojnë në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku furnizimet higjienike janë të pakta, sëmundjet infektive janë të përhapura.
Nga ana tjetër, me sulme të përditshme ushtria izraelite bombardon tendat dhe strehimoret civile të personave të zhvendosur.