Vance: SHBA-të dhe Britania në përpjekje për t’i dhënë fund krizës në Gaza

Britania dhe Shtetet e Bashkuara mund të mos pajtohen se si ta adresojnë krizën në Gaza, por ato ndajnë një qëllim të përbashkët për zgjidhjen e saj, tha zëvendëspresidenti JD Vance gjatë takimit të tij me Sekretarin e Jashtëm Britanik David Lammy të premten në Anglinë jugore.

Vance, i cili më parë e ka kritikuar Britaninë dhe Partinë e saj Laburiste në pushtet, zbarkoi me gruan e tij Usha dhe tre fëmijët e tyre në Londër përpara se të nisej për në Chevening, rezidencën e madhe rurale të përdorur nga ministri i jashtëm britanik në Kent.

Vizita vjen në mes të vëmendjes në rritje ndaj pikëpamjeve të Vance për politikën e jashtme, ndërsa ai del si një figurë kyçe në administratën e Presidentit Donald Trump dhe zgjedhja e tij e mundshme si pasardhës .

I pyetur në lidhje me planin e Britanisë për të njohur një shtet palestinez , Vance tha se SHBA-të dhe Britania kishin një objektiv të përbashkët për të zgjidhur krizën në Lindjen e Mesme, duke shtuar: “Mund të kemi disa mosmarrëveshje se si ta arrijmë saktësisht këtë qëllim dhe do të flasim për këtë sot.”

Vance përsëriti se SHBA-të nuk kishin plane për të njohur një shtet palestinez, duke thënë se nuk e dinte se çfarë do të thoshte në të vërtetë njohja, “duke pasur parasysh mungesën e një qeverie funksionale atje”

Britania, nga ana tjetër, ka marrë një qëndrim më të ashpër kundër Izraelit, duke deklaruar qëllimin e saj për të njohur një shtet palestinez së bashku me Francën dhe Kanadanë për të ushtruar presion mbi udhëheqësin izraelit Benjamin Netanyahu për shkak të konfliktit të vazhdueshëm dhe krizës humanitare në Gaza.

I pyetur nga një gazetar në lidhje me sugjerimin e Trump këtë javë se Vance ishte trashëgimtari i tij i mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, nënkryetari tha se fokusi i tij aktual është të bëjë një “punë të mirë” për amerikanët.

“Nuk jam i përqendruar as te zgjedhjet e vitit 2026, e lëre më një, dy vjet pas tyre”, tha ai, duke iu referuar zgjedhjeve të mesit të mandatit vitin e ardhshëm.