“Uria në çdo cep”, pamjet nga brenda spitaleve të Gazës që po tmerrojnë botën

Në mungesë të aksesit të gazetarëve në Rripin e Gazës, një grup reporterësh ndërmori katër turne virtuale në spitalet dhe klinikat e zonës, duke dokumentuar gjendjen e mijëra fëmijëve që vuajnë nga kequshqyerja e rëndë akute.

Pamjet dhe dëshmitë e mjekëve në terren të publikuara nga “Haaretz” tregojnë një krizë të përmasave katastrofike, ku fëmijët dhe të rriturit po vdesin nga uria, mungesa e barnave dhe shpërbërja e sistemit shëndetësor.

Në Spitalin Nasser në Khan Younis, Dr. Ahmed al-Farra tregon fëmijë të dobësuar në mënyrë ekstreme, me kockat që u duken, lëkurë të verdhë dhe flokë që u kanë rënë. Sipas këtij artikulli të “Haaretz” që mban këtë titull “Uria është kudo: Turnetë virtuale të klinikave në Gaza ekspozojnë shkallën e tmerrit”, 10-vjeçarja Bayan peshon vetëm 17 kg, aq sa peshon një fëmijë 4-vjeçar normal. Dy muaj më parë peshonte 24 kilogramë, thotë nëna e saj.

“Nuk po vuan nga ndonjë sëmundje, vetëm nga kequshqyerja”, thotë mjeku.

Një bebe tjetër, e quajtur Asil, ka fituar vetëm 400 gramë që nga lindja, për shkak se nëna e saj e uritur nuk mund ta ushqente me gji dhe nuk kishte mundësi të blinte qumësht formulë që kushtonte deri në 100 dollarë për një kuti.

Në të njëjtën dhomë ndodhet edhe Amer, një foshnjë pesëmuajshe që ka humbur më shumë se gjysmën e peshës së lindjes. Për shkak të pamundësisë për të blerë ushqim, nëna e tij i jep niseshte të tretur në ujë, një përzierje me kalori por pa asnjë vlerë ushqyese.

Mjekë vullnetarë nga SHBA dhe Britania dëshmojnë për një realitet të tmerrshëm. Dr. Travis Melin tregon se trupat e pacientëve janë kaq të dobësuar saqë “mund t’ua numërosh brinjët nga ana tjetër e dhomës”.

Ai shton: “Kam qenë në Gaza edhe një vit më parë, dhe të gjithë ata që takova tani janë dramatikisht më të dobët, pothuajse të pa njohshëm.”

Dr. Nour Sharaf, një mjeke emergjence nga Teksasi, thotë se “një 15-vjeçar dukej si 10-vjeç” për shkak të kequshqyerjes ekstreme. Ndërsa Dr. Irfan Ali përshkruan rastin e një bebeje me hemoglobinë 6.1 (gjysma e normales) që sipas tij është rezultat i vetëm i urisë. Mjekët janë të qartë: kush thotë se këto raste janë shkaktuar nga sëmundje gjenetike ose kushte ekzistuese, po mohon realitetin. Kjo është uria.

Sistemi shëndetësor në kolaps

Spitalet janë të shkatërruara, pa ilaçe, pa energji elektrike dhe pa staf të mjaftueshëm. Shumica e rasteve trajtohen vetëm në qendrat e stabilizimit të OKB-së, ku nuk ka as peshore për fëmijët. Një infermiere mat krahët me shirit për të vlerësuar nëse një fëmijë ka nevojë për ndërhyrje emergjente.

Në kampin Nuseirat, një vajzë shtatë muajshe, Lian, vizitohej për herë të katërt dhe ende nuk kishte përmirësim. Nëna e saj, me burrin të arrestuar, thotë se nuk mund t’u sigurojë ushqim fëmijëve. “Dje nuk hëngra. Dikush më dha ushqim të gatuar, por e dhashë për fëmijët.”

Janë rreth 150 qendra të ngjashme shëndetësore që trajtojnë fëmijë të kequshqyer në gjithë Rripin e Gazës. Në muajt e fundit, OKB-ja ka paralajmëruar herë pas here se familjet nuk mund të kërkojnë trajtim të rregullt për fëmijët e tyre në këto qendra për shkak të urdhrave të evakuimit që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit lëshojnë çdo disa ditë.

Kështu, në disa raste, vetë qendra e stabilizimit ndodhet në një zonë që banorëve u është urdhëruar të largohen, dhe ndonjëherë janë familjet ato që janë detyruar të largohen dhe ndodhen larg qendrës. Një urdhër evakuimi, i lëshuar më 20 korrik, çoi në mbylljen e gjashtë qendrave për trajtimin e kequshqyerjes vetëm në Deir al-Balah.

Ky investigim i “Haaretz”-it dëshmon për një tragjedi njerëzore të paprecedentë, që po zhvillohet larg syve të botës.

“Uria në çdo cep”, pamjet nga brenda spitaleve të Gazës që po tmerrojnë botën