Unioni ndërpalamentar, tryezë për të thelluar bashkëpunimin reciprok në mes vendeve të ndryshme.

Kryeparlamentari i Kinës, Zhao Leji, bëri thirrje për bashkëpunim më të madh ndërparlamentar për të mbështetur multilateralizmin dhe për të ndërtuar një bashkësi me fate të përbashkëta të njerëzimit, gjatë Konferencës së Gjashtë Botërore të Kryetarëve të Parlamenteve, të zhvilluar nga e marta deri të enjten në Pallatin e Kombeve në Gjenevë.

Në fjalimin e tij, Zhao, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës (AKPK), theksoi që bota po përballet me sfida të mëdha lidhur me paqen e zhvillimin, dhe institucionet legjislative duhet të luajnë një rol aktiv në nxitjen e një lloji të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare, të bazuar në respektin e ndërsjellë, barazinë dhe bashkëpunimin.

Ai gjithashtu u bëri thirrje organeve ligjvënëse të kontribuojnë në zhvillimin global, duke promovuar bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella. Ai ritheksoi përkrahjen për një sistem tregtar shumëpalësh me Organizatën Botërore të Tregtisë në qendër dhe bëri thirrje për forcimin e kornizave ligjore për të garantuar përparimin e përbashkët.

Duke theksuar vlerën e shumëllojshmërisë së qytetërimeve, Zhao propozoi thellimin e shkëmbimeve kulturore dhe mësimit reciprok, duke theksuar nevojën për t’i lënë qytetërimet e ndryshme të lulëzojnë nëpërmjet dialogut dhe bashkëjetesës.

Zhao tha se Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës është e gatshme të thellojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin me Unionin Ndërparlamentar dhe organet legjislative të vendeve të tjera. Ai shprehu gatishmërinë e Kinës për të punuar së bashku me palët e tjera për zbatimin e Nismës së Zhvillimit Global, Nismës së Sigurisë Globale dhe Nismës së Qytetërimit Global, në mënyrë që të ndërtohet një bashkësi me fate të përbashkëta të njerëzimit.