Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon thirrjet raciste në Kumanovë, kritikon heshtjen e institucioneve dhe mediave maqedonase

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve raciste dhe ultranacionaliste të bëra nga një grup tifozësh maqedonas gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski.

Më poshtë reagimi i plotë i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:

Thirrjet raciste të dhjetra tifozëve ultranacionalistë maqedonas në prani të Kryeministrit Mickovski dhe heshtja e tij, janë njollë dhe shenjë antieuropiane në Maqedoninë e Veriut.
Turp për organizatat e mediave dhe gazetarëve maqedonas që heshtin ndaj akteve të tilla!

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon shfaqjen e thirrjeve raciste dhe ultranacionaliste të tifozëve maqedonas në Kumanovë, ditën e shtunë, ndërsa zhvillohej një ndeshje basketbolli, ku ndodhej i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, zoti Mickovski dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të kësaj republike.

Thirrjet në korr të tifozëve, me aq egërsi dhe antishqiptare, të rikthejnë në kujtesë episode dhe histori të shkuara. Pas gati 23 vitesh, klithma të tilla raciste rikthehen si shenja ultranacionaliste antishqiptare, të cilat mund të fitojnë arenë publike, madje duke qenë i pranishëm edhe kryeministri i këtij vendi, i cili ekziston falë shqiptarëve.(!)

Heshtja dhe mosreagimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut ndaj këtyre thirrjeve, mosdistancimi i federatës maqedonase dhe institucioneve të tjera, është më e rëndë nga akti antiligjor dhe i dënueshëm i korit dhe koristëve të sëmurë që shfaqen si tifozë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon ashpër kësi shenjash që të rikthejnë shumë pas në kohë dhe në antibashkëjetesë. Turmat antishqiptare, të veshura me bluza tifozësh nga shtetas të nacionalitetit maqedonas, në republikën fqinjë me Shqipërinë, janë element i rëndë provokativ dhe që kërcënojnë stabilitetin dhe rendin kushtetues në MV.

Me këtë rast, ndajmë shqetësimin tonë dhe kritikën e drejtëpërdrejtë ndaj organizatave të gazetarëve maqedonas, ndaj disa rrjeteve të organizatave rajonale (ku janë dhe nuk janë kolegë shqiptarë), si dhe entiteteve profesionale mediatike në gjuhën maqedonase, të cilët jo vetëm nuk kanë reaguar por që ende, nuk distancohen dhe madje nuk respektojnë ligjet e tyre për masa dhe qëndrime antiraciste, ultranacionaliste dhe me gjuhë aq agresive, ndaj një kombi tjetër dhe bashkështetasve të tyre. Shqiptarët në MV janë hise e plotë dhe e madhe në vlerën e faktorit të padiskutueshëm shtetformues.
Kjo heshtje e kolegëve, mediave maqedonase dhe organizatave të tyre është jo vetëm shenjë e keqe, por një qëndrim i hapur antieuropian, antibashkëjetesë dhe sidomos, antinjerëzor. (!)

Është në nderin e tyre të reagojnë sa më parë dhe të ndiejnë skrupujt e qëndrimeve morale, europiane e perëndimore në rajonin që destinacion ka Bashkimin Europian dhe jo në të vjetrat kohë që nuk kthehen dot më kurrë!