Udhëtarë nga Gostivari bllokohen 15 orë në Austri pas defektit të autobusit, asnjë reagim nga kompania
Një grup udhëtarësh që po ktheheshin nga Gostivari drejt Gjermanisë kanë mbetur të bllokuar për rreth 15 orë në territorin e Austrisë, pasi autobusi i kompanisë private me të cilin po udhëtonin pësoi një defekt serioz.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, gjatë udhëtimit janë djegur dy gomat e pasme të mjetit, duke rrezikuar një incident të rëndë. “Për pak kemi shpëtuar”, tha njëri prej tyre.
Ngjarja ka shkaktuar pakënaqësi dhe shqetësim mes udhëtarëve, të cilët kanë mbetur në pritje për vazhdimin e rrugës drejt destinacionit të tyre.
TV21 ka kontaktuar kompaninë e transportit për të marrë një qëndrim mbi rastin, por pavarësisht dy telefonatave dhe disa mesazheve, nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Ndërkohë, udhëtarët vazhdojnë të presin në Austri, duke shpresuar për një zgjidhje të shpejtë të situatës.(Tv21)