Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të vendosë për pozicionin e tij sa i përket luftës në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës në dy javët e ardhshme dhe sërish paralajmëroi se mund të vendosë sanksione kundër Rusisë. Duke folur për gazetarët në Zyrën Ovale, ai tha se dëshiron të shohë nëse presidenti rus, Vlladimir Putin, dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të takohen fillimisht.
“Shiko, duhen dy për tango, e kupton këtë. Unë doja të kisha një takim me ata të dy. Mund të kisha qenë në takim, por shumë njerëz mendojnë se nga ai takim nuk do të dalë asgjë. Duhet të jesh aty. Ndoshta është e vërtetë, ndoshta jo. Por do ta shohim… Ka shumë zemërim, shumë urrejtje. Ka një sasi të jashtëzakonshme urrejtjeje atje, por do të shohim çfarë do të ndodhë. Mendoj se për dy javë do të dimë nga do të shkoj, sepse unë do të shkoj në një drejtim ose tjetrin dhe ata do të mësojnë nga do të shkoj”, tha Donald Tramp, President i SHBA-së.
Trump kur u pyet se çfarë do të bënte në përfundim të afatit dyjavor për vlerësimin e gjendjes së bisedimeve bërthamore.
“Do të marr vendim se çfarë do të bëjmë dhe do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm. Ose do të jenë sanksione masive, tarifa masive ose të dyja. Ose nuk do të bëj asgjë dhe do t’iu them: ‘Kjo është lufta e juaj’”, u shpreh Donald Tramp, President i SHBA-së.
Trump më herët ka sugjeruar se Shtëpia e Bardhë po punon për të ndërmjetësuar një takim mes Putinit dhe Zelenskyt për të diskutuar për përfundimin e luftës dhe se një takim trepalësh do të përfshinte dy udhëheqësit dhe Trumpi që do t’i bashkohej më vonë takimit. Më herët, Trump tha se Putini dhe Zelensky ishin si “vaji dhe uthulla” dhe nuk ishte e qartë nëse do të zhvillohej një takim trepalësh.
Më herët gjatë kësaj jave pas takimit me Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se kishte nisur aranzhimet për një takim Putin-Zelensky pas një bisede telefonike që zhvilloi me udhëheqësin rus. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ditë më parë tha se akoma nuk ka agjendë për një samit të tillë. Kjo deklaratë pasqyron qëndrimin e Moskës se një takim i tillë është i pamundur nëse nuk plotësohen disa kushte. Zelensky ndërkaq tha se Rusia po bënë gjithçka që të pamundësojë një takim të tij me Putinin. Ai përsëriti thirrjen drejtuar Putinit që të zhvillohet një takim i tillë, duke thënë se është mënyra e vetme për të negociuar për përfundimin e luftës.