Trump: Hamasi nuk mund të qëndrojë në Gaza

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Izraeli duhet të vendosë për hapin e tij të ardhshëm, por theksoi se Hamasi nuk mund të qëndrojë në Gaza, transmeton Anadolu.

Duke folur në telefon me agjencinë e lajmeve “Axios” lidhur me sulmet e Izraelit ndaj Gazës, Trump nuk deklaroi shprehimisht se do të mbështeste vendimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu për të pushtuar Gazën. Megjithatë, ai tha se nuk besonte se Hamasi do t’i lironte pengjet në rrethanat aktuale.

Trump tha se Izraeli duhet të vendosë se çfarë të bëjë më pas dhe gjithashtu nëse do ta lejojë Hamasin të qëndrojë në Gaza, por, sipas tij, “Hamasi nuk mund të qëndrojë atje”, raportoi “Axios”.

Netanyahu pretendon se “ushtria e tij do ta pushtojë qytetin e Gazës shumë shpejt”, duke shtuar se “dëshiron administratë civile në enklavën palestineze”.

“Ne kemi bërë një marrëveshje të shkëlqyer. Kemi rreth 70 deri në 75 për qind të Gazës nën kontrollin izraelit, por kemi dy fortesa të mbetura”, tha ai duke aluduar në qytetin e Gazës dhe kampet qendrore në Al-Mawasi në Gazën jugore.

Të premten, Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi planin e Netanyahut për të pushtuar plotësisht qytetin e Gazës, duke shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare nga qeveritë dhe organet e të drejtave të njeriut.

Kryeministri izraelit pretendon se plani i tij synon të çarmatosë Hamasin, të lirojë të gjitha pengjet izraelite, të demilitarizojë Gazën, të anashkalojë kontrollin e sigurisë izraelite dhe të formojë administratë civile jo-izraelite.

Ai tha se plani përfshin krijimin e një zone tampon në kufirin e Gazës me Izraelin dhe “një administratë civile jo-izraelite” për të drejtuar Rripin e Gazës.

“Administrata e planifikuar do të drejtohet nga palë të treta, jo nga Hamasi apo Autoriteti Palestinez”, tha Netanyahu pa dhënë detaje të mëtejshme.

Izraeli ka mbajtur të gjitha kalimet e Gazës të mbyllura që nga 2 marsi, duke bllokuar konvojet e ndihmave pavarësisht qindra kamionëve që presin në kufi. Vetëm sasi të vogla janë lejuar të hyjnë, shumë nën nivelin e nevojshëm për të shmangur urinë.