Trump do të takohet me Putinin vetëm nëse Putini takohet edhe me Zelenskyn

Presidenti amerikan, Donald Trump do të takohet me homologun rus, Vladimir Putin vetëm nëse diktatori takohet gjithashtu me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Putini duhet të takohet me Zelenskyn që takimi të ndodhë”, i tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, New York Post. “Nuk është caktuar asnjë vendtakim”, shtoi ai.

Kremlini të enjten pretendoi se Moska dhe Uashingtoni ranë dakord “në parim” për të mbajtur një takim ballë për ballë midis Putinit dhe Trumpit.

“U ra dakord në parim për të mbajtur një takim bilateral në ditët në vijim, pra një takim midis presidentit Vladimir Putin dhe Donald Trump,” tha ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov, duke pretenduar se kjo u bë “në propozimin e palës amerikane”.

Në fakt, Shtëpia e Bardhë nuk kishte konfirmuar një takim bilateral — as nuk e përmendi gjatë një konference për shtyp të mërkurën, ku foli për një takim të mundshëm trilateral me presidentët e SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës.

Një takim trilateral do të përfaqësonte një hap të madh drejt përfundimit të luftës në Ukrainë. Asnjë tjetër udhëheqës botëror – përfshirë ish-presidentin amerikan, Joe Biden — nuk ka arritur të sjellë të dy palët në të njëjtën dhomë që nga pushtimi i plotë rus në shkurt 2022.

Megjithatë, Kremlini vazhdon të refuzojë idenë e një takimi Trump-Zelensky.

“Së pari, ne propozojmë të përqendrohemi në përgatitjen e një takimi bilateral me Trumpin dhe e konsiderojmë të rëndësishme që ky takim të jetë i suksesshëm dhe efektiv,” tha Ushakov.

Ndryshe, takimi mes presidentit amerikan dhe atij rus pritet të zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe.