Trazirat në Serbi, policia e Vuçiçit përdori bomba zanore ndaj protestuesve

Për të pestën natë me radhë, Serbia është përfshirë nga përleshje mes protestuesve dhe policisë në disa qytete. Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, njoftoi nga Beogradi se incidentet përbëjnë “shkelje drastike të rendit publik”.

Situata më e tensionuar u regjistrua në Valljevë, ku zyrat e Partisë Përparimtare të Serbisë, e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiç, u përfshinë nga flakët. Sulme janë regjistruar edhe ndaj ndërtesave të gjykatës, zyrës së prokurorit dhe administratës së qytetit.

Protestuesit dëmtuan rëndë edhe zyrat e Partisë Radikale Serbe, nën drejtimin e Vojisllav Sheshel, i njohur për krime lufte. Në disa pamje të shpërndara në media, policia shihet duke përdorur gaz lotsjellës dhe bomba zanore për të shpërndarë turmat, ndërsa protestuesit hedhin sende në drejtim të tyre.

Një skenar i ngjashëm ndodhi edhe në Beograd, ku turma u mblodh para selisë së partisë së Vuçiçit, por u shpërnda nga forcat e rendit. Tensionet u ndezën pas publikimit të disa fotografive në rrjetet sociale që tregojnë të rinj të ndaluar në Novi Sad, të gjunjëzuar me shpinën kah policia gjatë arrestimeve.