Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, reagon KOKSH: Do të denoncojmë ngjarjen në të gjitha Organizmat Olimpikë Ndërkombëtare, duke kërkuar marrjen e masave të forta
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dënon thirrjet antishqiptare në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë dhe thekson se incidentin do ta denoncojë në të gjitha Organizmat Olimpikë Ndërkombëtare.
Do të kërkojmë marrjen e masave të forta ndaj çdo veprimi që prish barazinë dhe respektin në sport, thuhet në deklaratën e KOKSH.
“Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka ndjekur me shqetësim episodet e shëmtuara që ndodhën gjatë ndeshjes kualifikuese për FIBA World Cup, mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në qytetin e Kumanovës, ku u dëgjuan thirrje me përmbajtje raciste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dënon me forcë këto episode të rënda, që prishin imazhin e vendeve, dëmtojnë fqinjësinë e mirë dhe prekin parimet themelore të kartës olimpike.
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar do të denoncojë ngjarjen në të gjitha Organizmat Olimpikë Ndërkombëtare, duke kërkuar marrjen e masave të forta ndaj çdo veprimi që prish barazinë dhe respektin në sport. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ngre me forcë zërin për lartësimin e vlerave të olimpizmit: përsosmërisë, miqësirë dhe respektit, vlera këto nuk kanë të bëjnë vetëm me sportin; ato synojnë të zbatohen në të gjitha aspektet e jetës”.
Në palestrën e sportit në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë u dëgjuan thirrje me gjuhë urrejtjeje dhe raciste kundër popullit shqiptar shqiptarëve.
Edhe pse thirrjet dëgjoheshin qartë, autoritetet e pranishme në sallë nuk ndërhyri për t’i ndalur.
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, thërrisnin një pjesë e tifozëve në tribunë.
Të pranishëm ishin personalitete të larta shtetërore, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Punëve të Jashtme Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq.
Thirrjet dhe refrenet u dëgjuan gjatë gjithë ndeshjes. “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” ishte një tjetër thirrje që brohoritej nga tifozët si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, duke iu referuar asaj që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore ndaj hebrenjve.