Tetë ditë paraburgim për prindin 43-vjeçar i cili sulmoi dy futbollistë në ndeshje futbolli

Tetë ditë paraburgim për prindin 43 vjeçar nga Shkupi i cili dje gjatë një ndeshje futbolli të gjeneratës 2009-2010 mes klubeve të “Shkupit” dhe Bregallnicës” në stadiumin “Belo Brdo” në Shtip fizikisht ka sulmuar dy futbollist të rinj. Gjyqtari i procedurës paraprake dhe njëkohësisht edhe zëdhënës i Gjykatës Themelore në Shtip, Sashko Georgiev për MIA-n konfirmoi se personit A.A nga Shkupi i është caktuar masa e paraburgimit prej tetë ditësh, pas së cilës do të pasojë gjykim në një procedurë të shkurtuar. Personi i dyshuar do të dërgohet në burgun e Kumanovës.

Më herët, publiku u informua se Prokuroria Themelore Publike – Shtip sot ka filluar procedurë kundër një personi për veprën penale – Dhunë sipas nenit 386 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit penal.

“I dyshuari ka kryer dhunë më 24 gusht në stadiumin ‘Belo Brdo’ në Shtip, gjatë një ndeshje futbolli midis ekipeve të të rinjve të klubeve të futbollit ‘Bregallnica’ dhe ‘Shkupi’. Me veprimet e tij ai ka rrezikuar sigurinë e dy fëmijëve të lindur në vitin 2010, lojtarë të ekipit të ‘Bregallnicës’ duke u shkaktuar lëndime trupore. Përveç kësaj, tek të dëmtuarit, tek pjesa tjetër e publikut të pranishëm dhe në publik ka shkaktuar ndjenjë pasigurie, kërcënimi dhe frike”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

MIA edhe dje informoi se ngjarja ka ndodhur në minutën e 89-të të ndeshjes, kur gjyqtari për shkak të një ndërhyrje të gabuar dha kartonin e dytë të verdhë, duke përjashtuar djalin e të dyshuarit i cili luante për “Shkupin”.

Komisioni disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) gjatë ditës duhet ta publikojë edhe vendimin se çfarë masa disiplinore do të merret për këtë ngjarje në Shtip.