Taravari: VLEN-i dështoi, u desinkronizuam plotësisht – Mickoski e shfrytëzoi për të dobësuar shqiptarët
Arben Taravari pranoi për herë të parë publikisht se koalicioni VLEN, i cili hyri në qeveri me VMRO-DPMNE, nuk funksionoi kurrë si duhet dhe se kjo gjendje e dobësoi faktorin shqiptar në institucionet shtetërore.
Taravari shpjegoi pse ky projekt nuk funksionoi: katër parti shqiptare me struktura të ndara, që nuk arrinin të merrnin vendime të përbashkëta, e që sipas tij u kthyen në një “kaos” brenda qeverisë.
“Çdo vendim duhej të kalonte në katër kryesi partish, të takoheshin katër kryetarët, të sinkronizoheshin, dhe shpesh nuk pajtoheshim. Për çdo drejtor, për çdo vend pune, duhej kohë. Derisa ne merreshim vesh, Mickoski vepronte vetë. Shumë drejtori që na takonin neve, i emëronte ai nga radhët e maqedonasve,” – tha Taravari.
Ai pranoi se që në fillim kishte propozuar fuzionimin e katër partive shqiptare në një subjekt të vetëm, për ta pasur më të lehtë vendimmarrjen.
“Unë propozova që të bashkohemi, të funksionojmë si një parti. Por më thanë nuk është momenti, më mirë të kemi katër struktura që të mbulojmë më shumë terren. Në praktikë, kjo doli totalisht joefikase,” – rrëfeu ai.
Taravari pranoi gjithashtu se kjo situatë e fragmentuar e shndërroi VLEN-in nga një faktor që duhej të fuqizonte shqiptarët, në një mekanizëm që e defaktorizoi realisht ndikimin e tyre në qeveri.
“Nuk është se e bëmë me qëllim, por doli që ne vetë i shërbyem njëfarë defaktorizimi të shqiptarëve në institucione. Ndryshimin e sollëm, por ndryshimi nuk doli më i mirë. Ky është problemi,” – u shpreh ai.
Ai kritikoi qasjen e kryeministrit Mickoski, që sipas tij e kuptoi shpejt këtë dobësi të VLEN-it dhe e shfrytëzoi për të forcuar kontrollin e partisë maqedonase mbi institucionet, duke anashkaluar shqiptarët.