Suksesi historik, Shkëndija arkëton më së paku 10 milionë euro nga UEFA!

Futbollistët e Shkëndijës më në fund e realizuan dëshirën e tyre më të madhe për të luajtur në fazën e grupeve të një gare të UEFA-s.

Tetovarët triumfuan edhe në ndeshjen e kthimit ndaj FCSB-së në Bukuresht dhe kështu do të luajnë në raundin e tretë të eliminatoreve për Ligën e Kampionëve, çka u siguron të paktën pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës të UEFA-s.

Ky kualifikim historik do t’i sjellë Shkëndijës edhe shpërblimin më të madh ndonjëherë për një klub nga Maqedonia nga UEFA, të paktën DHJETË milionë euro në arkën e klubit. Natyrisht, kjo shumë mund të rritet, varësisht se ku do ta shohim skuadrën kuqezi këtë vjeshtë.

Kundërshtari i kampionit të Maqedonisë në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve do të jetë Qarabagu. Në rast fitoreje në këtë përballje me dy ndeshje, Shkëndija do të luajë në play-offin për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.