Spanja hedh nga ajri 12 ton ushqime në Rripin e Gazës

Spanja njoftoi sot se ka dërguar 12 ton ushqime në Rripin e Gazës, në një përpjekje për të lehtësuar krizën humanitare që po përjetojnë banorët e këtij rajoni, të rrezikuar nga uria dhe sulmet izraelite. Ndihmat janë hedhur nga ajri, duke përdorur një avion ushtarak A400 të Forcave Ajrore Spanjolle.

Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Alvarez, bëri me dije se gjatë operacionit janë hedhur gjithsej 24 pako, secila prej tyre me peshë 500 kilogramë, që përmbajnë rreth 2,500 racione ushqimore. Ai nënvizoi gjithashtu se kamionët me ndihma humanitare spanjolle janë aktualisht të parkuar në kufirin me Rripin e Gazës dhe pritet të futen në enklavë në ditët në vijim.

Në një kohë kur situata humanitare në Rripin e Gazës përkeqësohet dita-ditës, disa vende perëndimore, përfshirë Francën dhe Britaninë, kanë nisur dërgesa të ngjashme nga ajri për të mbështetur banorët e këtij rajoni. Ndihmat vijnë ndërsa vendet e Lindjes së Mesme po përballen me një krizë dramatike humanitare, duke kërkuar ndërhyrje urgjente ndërkombëtare.