Sot zhvillohet provimi i maturës shtetërore për afatin e gushtit, janë paraqitur 1.118 nxënës

Maturantët e shkollave të mesme që nuk e kaluan provimin e maturës shtetërore në qershor, sot do të zhvillojnë provimin e parë të detyrueshëm ekstern – gjuhë amtare dhe letërsi. Më 14 gusht (e enjte) do të mbahet provimi i dytë ekstern, zgjedhor, nga lëndët e maturës shtetërore në sesionin e provimeve të gushtit.

Sot do të realizohet testimi në gjuhën amtare (maqedonisht, shqip, turqisht, serbisht) dhe letërsi, ndërsa dy ditë më vonë, më 14 gusht, do të zhvillohet provimi zgjedhor ekstern në njërën nga lëndët: matematikë, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, italisht, filozofi ose estetikë.

Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP), gjithsej 1.118 nxënës janë regjistruar për të marrë pjesë në dy ditët e provimeve. Prej tyre, 352 do të japin provimin e gjuhës maqedonase, 225 të gjuhës shqipe dhe nëntë të gjuhës turke. Gjuhën angleze do ta japin 779 nxënës, ndërsa për gjuhën frënge është regjistruar vetëm një maturant, për gjuhën gjermane dy nxënës, për matematikën 27 dhe për estetikën një maturant.

Sipas profilit arsimor, 265 kandidatë janë nga gjimnazi, 835 nga arsimi i mesëm profesional dhe 18 nga arsimi i mesëm artistik. Provimet e sesionit të gushtit do të zhvillohen në mjediset e fakulteteve.

Javën e kaluar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra Shtetërore e Provimeve shpallën rezultatet e provimeve të qershorit, të cilat dolën më të mira se ato të vitit të kaluar shkollor. Nota mesatare e suksesit nga dy provimet e jashtme në afatin e qershorit ishte 3.69, krahasuar me 3.26 vitin e kaluar. Përmirësim i dukshëm është regjistruar në gjuhët amtare dhe në disa lëndë të tjera, veçanërisht në matematikë, ku nota mesatare arriti 4.14.

Në afatin e qershorit, për dhënien e provimeve ishin paraqitur gjithsej 15.004 nxënës. Për shkak të përpjekjeve për kopjim, përdorimit të pajisjeve elektronike dhe shkeljeve të tjera të rregullave, testet e 172 nxënësve u shpallën të pavlefshme.