Skandal korrupsioni në Ukrainë/ Kontrata shtetërore me çmime të fryra për dronë

Organi mbikëqyrës antikorrupsion i Ukrainës tha të shtunën se kishte zbuluar një skemë të madhe korrupsioni që përfshinte kontrata shtetërore për blerjen e dronëve ushtarakë dhe sistemeve të bllokimit të sinjaleve me çmime të fryra.

Sipas deklaratës zyrtare të publikuar në rrjetet sociale, në këtë rast janë të përfshirë një deputet aktual, dy zyrtarë lokalë dhe një numër i paspecifikuar pjesëtarësh të Gardës Kombëtare. Katër persona janë arrestuar deri tani.

“Thelbi i skemës ishte lidhja e kontratave shtetërore me kompanitë e furnizimit me çmime të fryra qëllimisht”, thuhet në deklaratën e NABU dhe SAPO (institucionet kundër korrupsionit). Personat e përfshirë në këtë skemë merrnin komisione deri në 30% të vlerës së secilës kontratë.

Skandali shpërtheu vetëm dy ditë pasi parlamenti ukrainas miratoi një ligj që rivendos pavarësinë e plotë të këtyre dy institucioneve, pas një vendimi të mëparshëm për t’i vendosur nën kontrollin e prokurorit të përgjithshëm, një vendim që kishte shkaktuar protesta të mëdha në vend.