Shumë të famshëm dhe gazetarë gjermanë i bashkohen thirrjes për të ndaluar eksportet e armëve në Izrael

Më shumë se 160 njerëz të famshëm dhe gazetarë gjermanë i janë bashkuar një fushate të mëparshme për të ndaluar eksportet e armëve të vendit të tyre në Izrael, transmeton Anadolu.

Sipas grupit aktivist Avaaz, 162 nënshkrues të ri përfshijnë muzikantët Nina Chuba dhe Cluesvo, regjisorin e njohur gjermano-turk Fatih Akin, fituesin izraelit të ‘Golden Globe’, Ari Folman dhe aktoren e famshme Sandra Hüller.

Nënshkruesit që drejtuan fushatën gjithashtu kritikuan qëllimin e raportuar të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës.

“Z. (kancelar) Merz, është koha për të vepruar”, deklaruan ata.

Deri në mëngjesin e sotëm, 367 njerëz të famshëm dhe gazetarë e kanë nënshkruar peticionin.

Të enjten e kaluar, mbi 200 të famshëm dhe gazetarë të njohur gjermanë i bënë thirrje kancelarit Merz të ndalojë dërgesat e armëve në Izrael dhe të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj Tel Avivit për fushatën ushtarake vdekjeprurëse të Izraelit në Gaza. Në një letër të hapur, grupi theksoi vuajtjet e fëmijëve në Rripin e Gazës.

“Edhe ne i dënojmë me termat më të ashpër krimet e tmerrshme të Hamasit. Por asnjë krim nuk legjitimon ndëshkimin kolektiv të miliona njerëzve të pafajshëm në mënyrën më brutale”, theksuan ata.

Letra gjithashtu tha se në Rripin e Gazës, fëmijët që nuk janë pjesë e luftës, por që mbajnë barrën e saj, po vuajnë nga uria dhe po vdesin.

“Më shumë se 17 mijë tashmë janë vrarë. Qindra mijëra janë të plagosur, të traumatizuar, të zhvendosur dhe të uritur”, tha letra.

– Edhe aleatët më të afërt të Izraelit “nuk mund ta tolerojnë më vuajtjen”

Nënshkruesit, që përfshijnë aktorët Liv Lisa Fries (Babylon Berlin), Katharina Thalbach (Zonjusha Merkel) dhe Benno Furmann (North Face), pranuan kritikat e kancelarit Merz ndaj qeverisë izraelite në ditët e fundit.

Megjithatë, ata i bënë thirrje kancelarit gjerman të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, duke përfshirë ndalimin e të gjitha eksporteve gjermane të armëve drejt Izraelit, mbështetjen e pezullimit të Marrëveshjes së Asociimit të BE-së me Izraelin dhe kërkimin e një armëpushimi të menjëhershëm, si dhe qasje të pakufizuar për ndihmat humanitare.

“Këto hapa janë thellësisht në përputhje me vlerat evropiane dhe do ta bënin të qartë pa asnjë dyshim për qeverinë izraelite se edhe aleatët e saj më të afërt nuk mund ta tolerojnë më këtë vuajtje dhe se fjalët nuk mjaftojnë më”, thuhet në letrën e hapur.

Javën e kaluar, Merz tha se qeveria e tij po shqyrton mundësinë e rritjes së presionit ndaj Izraelit për shkak të situatës së rëndë humanitare në enklavë.

Ai tha se qeveria gjermane “rezervon të drejtën” për të ndërmarrë masa konkrete me qëllim rritjen e presionit ndaj Izraelit për përmirësimin e “situatës katastrofike” në Rripin e Gazës.