Shpërthen zjarr në Cerovë, ekipet në terren! Shtëpitë janë të sigurta, nesër pritet ndërhyrje me mjete ajrore
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, bashkë me komandantin e njësitit të zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, ka njoftuar se nga afër po e ndjekin situatën me zjarrin pranë fshatit Cerovë, i cili është përhapur në drejtim të Karpallakut dhe rajonit të Shkupit.
Sipas tij, deri më tani nuk ka vendbanime apo objekte të rrezikuara, ndërsa ekipet në terren po punojnë intensivisht për ta lokalizuar zjarrin.
“Nesër në mëngjes planifikohet ndërhyrje edhe me mjete ajrore, ndërsa avioni Er Traktor do të angazhohet herët për shuarjen e zjarrit”, deklaroi Ali.
Ai shtoi se të gjitha shërbimet e përfshira mbeten në terren dhe situata po monitorohet vazhdimisht për një reagim sa më të shpejtë dhe efikas.