Shkupjanët nën stres të përhershëm: Zhurma e pandalshme nga trafiku, ndërtimet dhe lokalet po rrezikon shëndetin e tyre
Banorët e Shkupit çdo ditë jetojnë mes një vale të pandërprerë zhurmash – nga ndërtimet e shumta që nuk ndalen, trafiku i rënduar me motoçikleta dhe makina që lëvizin me shpejtësi të lartë, deri te muzika e zëshme e kafeneve dhe përdorimi i duforeve për gjethe në mëngjes. Qytetarët ankohen se kjo gjendje po ua bën të pamundur pushimin, punën dhe jetën normale.
Sipas matjeve të realizuara nga Qendra për Shëndet Publik dhe Enti Shtetëror i Statistikës, në lokacione të frekuentuara si te “Kryqi i Kuq”, pranë Katedrales, në bulevardin “Boris Trajkovski”, në Autokomandë dhe në disa pika të tjera, niveli mesatar i zhurmës gjatë ditës arrin rreth 60 decibelë, shumë mbi kufirin e lejuar prej 53 dB. Edhe gjatë natës, zhurma shpesh e kalon vlerën e rekomanduar nga OBSH prej 45 dB, duke shkaktuar shqetësime serioze për qytetarët, përcjell PressOnline.al.
Banorët shprehen se “terrori i duforeve për gjethe” nis që në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa motoçikletat dhe automjetet që bëjnë xhiro nëpër bulevarde ua prishin gjumin dhe qetësinë. Ata kërkojnë prani më të madhe të policisë në rrugë dhe reagim të inspektorateve për lokalet me muzikë të lartë.
Ekspertët paralajmërojnë se ekspozimi i gjatë ndaj niveleve të larta të zhurmës sjell pasoja të rënda shëndetësore – nga pagjumësia dhe stresi, deri te problemet me dëgjimin, tensioni i lartë i gjakut dhe sëmundjet kardiovaskulare. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zhurma e trafikut është faktori i dytë më i madh i stresit në qytete, menjëherë pas ndotjes së ajrit.
Edhe pse inspektoratet komunale herë pas here vendosin gjoba dhe përkohësisht mbyllin lokale për shkak të tejkalimit të zhurmës, qytetarët thonë se pas një kohe “gjithçka kthehet si më parë”. Deri më tani, nuk ka një strategji të qëndrueshme për të ulur këtë problem, ndërsa numri i automjeteve në kryeqytet vazhdon të rritet çdo vit.
Specialistët e mjedisit kërkojnë që Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimin Hapësinor të zbatojë ligjin për zhurmën, të hartohen karta strategjike të zhurmës, të krijohet një regjistër i burimeve të saj dhe të vendosen masa më të rrepta për ndërtimet dhe transportin, në mënyrë që qytetarët e Shkupit të mos jetojnë më nën stres të përhershëm. (PressOnline.al)