Shkëndija pëson disfatë nga Ludogorets, vazhdon rrugëtimin në Ligën e Konferencës

Shkëndija nuk arriti të përballojë presionin e Ludogorets në ndeshjen e kthimit. Në pjesën e parë Ludogorets ishte në avantazh 2 me 0, goli i parë i shënuar në minutën e 9 nga Kurtulus. Ndërkaq, Chochev në minutën e 24, thellon rezultatin për 2 me 0. Në pjesën e dytë të ndeshjes kuqezinjtë arritën të shënojnë një gol nga Tamba. Ndërkaq, në minutat në vazhdim të ndeshjes Shkëndija nuk arriti të përballojë presionin e Ludogorets me çka pranuan dy gola të tjerë kështu duke u thelluar rezultati në 4 me 1.

Skuadra e Ludogoretsit arriti të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, por përballë pati një Shkëndijë të guximshme që nuk u dorëzua lehtë.

Takimi nisi me presion të vazhdueshëm të kampionëve bullgarë. Në minutën e 9-të, pas një pritjeje të Gajes, mbrojtësi kosovar me pasaportë suedeze Kurtullush shënoi për 1-0. Vetëm 15 minuta më vonë, pas një krosimi të Duartes, ishte Çoçev që i dha epërsinë 2-0 vendasve.

Pjesa e dytë solli më shumë qetësi, por edhe kthesën për kuqezinjtë. Në minutën e 64-të, kapiteni Besart Ibraimi me një pasim perfekt gjeti Fabrice Tamban, i cili kaloi mbrojtjen dhe shënoi për 2-1, duke ngritur shpresat. Deri në fund të kohës së rregullt, të dyja skuadrat patën raste të arta, por Gaje u shndërrua në hero në minutën e 87-të me një pritje spektakolare, ndërsa vetëm një minutë më vonë Tamba ishte shumë pranë golit të dytë për Shkëndijën, por nuk ishte preciz në momentin vendimtar.

Me barazim në rezultat të përgjithshëm, ndeshja shkoi në vazhdime. Në minutën e 98-të, Tekpetey realizoi një gol nga distanca, duke e thyer rezistencën e Shkëndijës. Në fund, gjatë një kundërsulmi, Eric Bile vulosi rezultatin 4-1 për Ludogoretsin. Megjithatë, pavarësisht eliminimit, Shkëndija largohet me kokën lart. Kampionët e Maqedonisë së Veriut sigurojnë pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, një arritje e madhe për futbollin në vend.