Shkëndija sonte nga ora 20:00 në Arenën “Todor Proeski” do të përballet me kampionin e Azerbajxhanit, Qarabag, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues në Ligën e Kampionëve.
Kampioni ynë tashmë ka shkruar histori – “kuqezinjtë” nga Tetova kanë siguruar minimalisht fazën e grupeve në Ligën e Konferencës, dhe deri më tani kanë arkëtuar 5 milionë euro nga UEFA për sukseset e deritanishme.
Por kur shansi është këtu, pse të mos ëndërrohet për më shumë? Ky “më shumë” është një kualifikim historik në play-off të Ligës së Kampionëve, që do të thotë 5 milionë euro shtesë nga UEFA. Në total – 10 milionë euro që Shkëndija mund t’i fitojë nëse e kalon Qarabagun.
Kështu, përballja me skuadrën nga Azerbajxhani është për një shumë të jashtëzakonshme prej 10 milionë eurosh. Dhe kjo, pa dyshim, është motiv shtesë për vetë futbollistët. Jo vetëm që do të hynin në histori si ekipi i parë nga vendi që arrin në play-off të Ligës së Kampionëve, por edhe për shkak të shpërblimeve individuale.
Nëse për fitoren kundër Steauas futbollistët morën një shpërblim total prej 300.000 eurosh, imagjinohet çfarë shpërblimi i pret nëse kalojnë Qarabagun.
Deri më tani, asnjë klub sportiv nga vendi nuk ka fituar më shumë se 5 milionë euro nga garat evropiane – përjashtim bën vetëm Vardari në vitin 2017 kur luajti në fazën e grupeve në Ligën e Evropës – dhe tani Shkëndija që tashmë ka siguruar Ligën e Konferencës.
Po ashtu, nëse Shkëndija kalon Qarabagun, siguron automatikisht fazën e grupeve në Ligën e Evropës.
Në rast se eliminohet, do të luajë në play-off të Ligës së Evropës dhe për këtë do të përfitojë 1 milion euro shtesë, që i bie totali të shkojë në 6 milionë euro.
Por, është e qartë – ekziston dallim i madh nëse përfundon me 6 apo 10 milionë euro në fund. Prandaj, motivimi te kampioni ynë është më i madh se kurrë.