Sherri për kanalin vaditës të fshatit, 25 vjeçari u fut në lokal dhe vrau me thikë Besmir Kumrian para gjithë klientëve!
Një konflikt i vazhdueshëm për kanalin vaditës të fshatit Kryekuq është bërë shkak për vrasjen tragjike të 32 vjeçarit Besmir Kumria në Divjakë. Autori, 25 vjeçari Xheison Toromëni është arratisur pas krimit, por është ndaluar me vonë nga forcat operacionale të Fierit.
Policia bën me dije se në mesnatë, Xheison Toromëni është futur në lokalin e fshatit Kryekuq dhe menjëherë ka goditur disa herë me thikë Besmirin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. 32 vjeçari ishte nën shoqërinë e miqve të tij, por askush nuk ka reaguar.
Krimi ka ndodhur në pak momente dhe as miqtë e viktimës dhe as klientët e tjerë të lokalit, banorë të fshatit Kryekuq të Divjakës, nuk e kanë kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe se kush ishte autori.
Menjëherë sapo kanë marrë njoftim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë kanë shkuar në adresën e dhënë dhe kanë marrë në pyetje klientët e lokalit.
Ata janë shprehur se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe nuk kishin mundur ta identifikonin autorin që qëlloi për vdekje me thikë Besmir Kumrian. Nën drejtimin e Prokurorisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Sherr në lokalin në Divjakë, 32 vjeçari qëllohet për vdekje me thikë nga një klient tjetër (EMRAT)
Si rezultat i ndjekjes së pandërprerë nga forcat operacionale të DVP Fier, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar, shtetasit Xheison Toromeni, 25 vjeç, banues në Kryekuq. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Ndaj të riut po kryhen të gjitha veprimet proceduriale dhe sot pritet t’i komunikohet në qeli masa e arrestit dhe veprat penale për të cilat akuzohet.
“Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Xheison Toromeni e ka vrarë shtetasin Besmir Kumria, pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, njoftoi Policia e Fierit.