Së paku 13 të vrarë nga një sulm me armë drejt një xhamie në Nigeri

Disa persona të armatosur kanë sulmuar një xhami në veriperëndim të Nigerisë, duke vrarë të paktën 13 persona gjatë lutjeve të mëngjesit.

Përgjegjësia për këtë sulm nuk është marrë menjëherë nga askush, por sulmet e tilla janë të zakonshme në rajonet veriperëndimore dhe qendrore të Nigerisë, ku përplasje mes fermerëve dhe bariut janë të shpeshta për shkak të mungesës së tokës dhe ujit, transmeton klankosova.tv.

Këto sulme kanë shkaktuar shumë viktima dhe të plagosur. Muajin e kaluar një sulm në Nigerinë qendrore vrau 150 persona.

Konflikti ka bërë gjithnjë e më shumë viktima në vitet e fundit, me autoritetet dhe analistët që paralajmërojnë se shumë të armatosur po veprojnë në këtë rajon.

Komisioneri i shtetit, Nasir Mu’azu, tha se ushtria dhe policia janë dërguar në zonën e Unguwan Mantau për të parandaluar sulme të tjera, duke shtuar se sulmuesit shpesh fshehin armët mes bimëve gjatë sezonit të shirave për të sulmuar komunitetet.

Ai shtoi se sulmi ndaj xhamisë mund të ketë qenë hakmarrje për një veprim të banorëve të Unguwan Mantau, të cilët gjatë fundjavës shtrinë një kurth dhe vranë disa nga sulmuesit në këtë zonë.