Salah shpallet “Lojtari më i mirë në Angli” për herë të tretë – Isak mungon në ndarje të çmimeve

Mohamed Salah është shpallur Lojtari i Vitit nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë (PFA) pas një sezoni historik 2024/25, ku fitoi titullin me Liverpool dhe shënoi 29 gola, duke rrëmbyer Këpucën e Artë të katërt në karrierë.

Shifra e tij rekord prej 18 asistimesh sezonin e kaluar është e tejkaluar vetëm nga Kevin de Bruyne dhe Thierry Henry në historinë e Premier League.

Egjiptiani është gjithashtu lojtari i parë që fiton këtë çmim tre herë, dhe bën pjesë në Ekipin e Vitit të Premier League përkrah shokëve të tij të skuadrës Virgil van Dijk, Ryan Gravenberch dhe Alexis Mac Allister.


Çmimi iu dorëzua nga legjenda Ian Rush, golashënuesi më i mirë në historinë e Liverpool. 33-vjeçari fitoi votimin përpara Mac Allister, Bruno Fernandes, Alexander Isak, Cole Palmer dhe Declan Rice.

“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Dua të falënderoj të gjithë ata që votuan për mua. Të arrish këtë në moshën 33-vjeçare është e pabesueshme,” – tha Salah.

“Më kujtohet dhjetë vite më parë kur nuk ia dola te Chelsea. Kur shkon diku dhe nuk bën, kjo të mbetet gjithmonë në mendje. Shikoj veten – një djalë që vjen nga Egjipti, arrin nivelin më të lartë dhe bën histori,” – shtoi ai.


Në anën tjetër, Morgan Rogers i Aston Villa-s fitoi çmimin Lojtari i Ri i Vitit, duke mposhtur konkurrencën nga Liam Delap, Dean Huijsen, Milos Kerkez, Myles Lewis-Skelly dhe Ethan Nwaneri.

Mariona Caldentey e Arsenalit u shpall Lojtarja e Vitit në futbollin e femrave, ndërsa shoqja e saj e re e skuadrës, Olivia Smith, mori çmimin Lojtarja e Re e Vitit.


Po ashtu, James Trafford i Man City-t u shpall Lojtari i Vitit në Championship, pasi ndihmoi Burnley-n të ngjitej në Premier League.

Në League One, çmimi shkoi për Richard Kone të Wycombe Wanderers, ndërsa në League Two fitoi Michael Cheek i Bromley.

Ceremonia madhështore në Manchester ofroi një spektakël glamour-i, ku yjet e futbollit dhe partneret e tyre shkëlqyen në tapetin e kuq.


Ish-trajneri i Anglisë, Sir Gareth Southgate, mori pjesë i veshur me një kostum klasik të zi dhe fitoi Çmimin e Meritës 2025 nga PFA. Ndërkohë, mbrojtësi i ri i Wrexham, Conor Coady, ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Amie, e cila shkëlqeu me një fustan elegant të zi me një shpatull të zbuluar.

Nga ana e tyre, yjet e Arsenalit – Gabriel, William Saliba dhe Declan Rice – zgjodhën një stil të thjeshtë për një natë të madhe.

Salah u paraqit në event me një kostum të zi klasik dhe një kravatë ari, ndoshta si paralajmërim se çmimi i madh do të shkonte drejt tij dhe Liverpool-it.

Në futbollin e femrave, Caldentey triumfoi përpara shoqes së saj të Arsenalit, Alessia Russo, falë një sezoni të jashtëzakonshëm ku ndihmoi ekipin të fitonte Champions League në vitin e saj të parë në Angli, pas transferimit nga Barcelona.

Para nisjes së ceremonisë, delegacioni i Arsenalit – si nga skuadra e meshkujve ashtu edhe e femrave – u shfaq i bashkuar përpara kamerave.


Kandidatët e tjerë për çmimin më të madh në futbollin e femrave ishin Mary Fowler dhe Yui Hasegawa (Man City), Erin Cuthbert (Chelsea) dhe Phallon Tullis-Joyce (Manchester United).

Përveç çmimeve të mëdha, gala njohu edhe lojtarët e ligave të ulëta, yjet e rinj dhe disa trajnerë.

Mes tyre, Morgan Rogers i Aston Villa-s – i cili shënoi 14 gola dhe 13 asistime në 54 paraqitje sezonin e kaluar – mori çmimin Lojtari i Ri i Vitit, megjithëse nuk arriti të futej në Ekipin e Vitit të Premier League, ku mesfusha u dominua nga Rice dhe duoja e Liverpool, Gravenberch dhe Mac Allister.